Që në orët e para të mëngjesit ka vijuar me intensitet operacioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit. Aksioni, i cili përfshin një numër të konsiderueshëm bujtinash dhe strukturash turistike, ka shkaktuar reagime të forta nga banorët dhe sipërmarrësit vendas.
Një prej tyre, i cili është njëkohësisht banor dhe biznesmen në zonë, ka reaguar me tone të ashpra në një lidhje për Euronews Albania, duke akuzuar qeverinë për ndërhyrje të padrejtë dhe denigrim të mundit shumëvjeçar të komunitetit lokal.
“Çdo gjë këtu është ndërtuar me djersë, me sakrifica. Tani vijnë dhe i prishin me një fadromë për një orë, pa paralajmërim. Nuk është kjo mënyra për të rregulluar territorin. Ka pasur turistë pa fund, që janë trembur nga prania e policisë dhe makinerive. Kanë ikur, kemi pësuar humbje të mëdha. Shteti mafioz nuk ka tjetër qëllim veçse të trembë rininë që të largohet. Ne nuk ikim! Nuk i kemi lëshuar trojet as ne, as të parët tanë.”
Sipërmarrësi thotë se bujtina që i është shembur ishte ndërtuar që në vitin 1997, dhe sipas tij kishte ndihmuar në zhvillimin e turizmit në Theth.
“Bujtinën e kam ndërtuar me duart e mia, me djersën time. E ka shembur Edi Rama dhe s’ka për ta ndaluar këtu. Unë do ta rindërtoj dhe s’do të largohem. Këtu nuk do bëhet biznes nga të tjerët që nuk janë banorë të Thethit. Vetëm banorët kanë të drejtë të zhvillojnë aktivitet këtu. Të tjerët le të vijnë për një javë me rezervim e kaq. Toka është e jona, s’e lëshojmë pa gjak!”
Ai hedh akuza të drejtpërdrejta edhe ndaj pushtetit vendor, duke thënë se Bashkia Shkodër ka qenë e vetëdijshme për ndërtimet dhe se i ka toleruar me qëllime elektorale.
“Këto ndërtime i kemi nisur që në vitin 1997. Bashkia i ka lënë njerëzit të ndërtojnë lirshëm, për t’u marrë votat. Tani që morën çfarë deshën, po na shembin gjithçka. Kjo është tradhti. Dhe ne nuk do ta harrojmë.”
Banori shprehu gjithashtu zhgënjimin për mënyrën si u krye aksioni, duke thënë se nuk u dhanë as paralajmërime të qarta dhe se IKMT veproi me një urgjencë të pajustifikuar.
“As na dhanë kohë, as na lajmëruan me procedurë. Na dhanë një orë dhe na vunë fadromën pas shpine. Kjo nuk është drejtësi. Kjo është dhunë mbi njerëz që s’kanë vrarë njeri, që vetëm kanë punuar për të jetuar.”
Reagimet nga komuniteti i Thethit pritet të vazhdojnë, teksa operacioni i IKMT-së duket se nuk ka përfunduar ende. Në këtë sfond tensioni, zërat për mbrojtjen e interesit lokal dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore përballen me akuzat për ndërtime të paligjshme në zona të mbrojtura.