Skip to content

I moshuari humbi jetën nga flakët, nusja e djalit rrefen detajet me lot në sy: I thërrita kur ra zjarri, por…

Në fshatin Kullollas të Gramshit, tragjedia ka goditur rëndë komunitetin, pasi një i moshuar rreth 80 vjeç ka humbur jetën mes flakëve dhe tymit, në një ngjarje që ende mbart shumë pikëpyetje.

Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se zjarri ka nisur në kopshtin e banesës së tij dhe më pas është përhapur me shpejtësi duke dalë jashtë kontrollit. Plaku fatkeq është asfiksuar, pasi nuk ka arritur të largohet në kohë nga vatra e zjarrit.

Por përveç viktimës, edhe nusja e djalit të tij është lënduar lehtë. Ajo është transportuar në spital në gjendje të stabilizuar, pasi ka pësuar asfiksi të shkallës së lehtë nga tymi i dendur.

Në rrëfimin e saj për mediat, gruaja përshkroi minutat dramatike të ngjarjes, duke kujtuar çastet e para kur kuptoi se shtëpia dhe kopshti po përfshiheshin nga flakët.

“Po hiqja plehrat në oborr,” – tregon ajo, – “kur vjen goca dhe më thotë ‘ra zjarr’. Vrapova menjëherë të merrja ujë për ta shuar, por nuk ia dola dot. I thirra vjehrrit dhe ai më tha të merrja një markush me ujë që të fiknim zjarrin.

Pastaj… nuk mu përgjigj më. Kur e gjeta, ç’të shihja…”. Me zërin që i thyhej nga lotët, gruaja këmbënguli se nuk ka qenë vjehrri i saj ai që e ka ndezur zjarrin, duke kundërshtuar versionet e para që qarkulluan në media.

Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar me saktësi shkakun e flakëve që i morën jetën 80-vjeçarit. Banorët e zonës, ende të tronditur, rrëfejnë se zjarri është përhapur në pak minuta, duke djegur një sipërfaqe të gjerë dhe duke vënë në rrezik edhe banesat përreth.

Kjo ngjarje e rëndë ka shtuar edhe më shumë tensionin në Kullollas, një nga fshatrat e prekur nga vala e zjarreve që ka pllakosur Gramshin ditët e fundit, ku tymi, flakët dhe frika kanë paralizuar jetën e përditshme të banorëve.

Published inShowbizz