Një tragjedi e rëndë ka goditur qytetin e Maliqit këtë të dielë pasdite, ku një nënë dhe djali i saj 14-vjeçar humbën jetën pas një zjarri që përfshiu banesën e tyre, ndërsa fëmija tjetër, vetëm 6 vjeç, ndodhet në gjendje kritike në spital.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30, në bllokun nr. 3 të qytetit të Maliqit. Sipas informacioneve paraprake, zjarri shpërtheu papritur brenda banesës ku jetonte familja Azizllari. Fillimisht u raportua se nëna dhe dy fëmijët ishin transportuar të plagosur drejt spitalit, por më vonë u konfirmua se 35-vjeçarja Merjeme Azizllari kishte ndërruar jetë për shkak të asfiksisë së shkaktuar nga tymi.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, pak orë më vonë ndërroi jetë edhe djali i saj i madh, vetëm 14 vjeç, i cili kishte pësuar dëmtime të rënda nga tymi dhe flakët. Ndërkohë, fëmija tjetër, 6 vjeç, po lufton për jetën në Spitalin Rajonal të Korçës, nën kujdes intensiv.
Forcat zjarrfikëse mbërritën me shpejtësi në vendngjarje dhe arritën të shuajnë flakët, por dëmet materiale në banesë janë të konsiderueshme. Banesa u dogj pothuajse plotësisht, ndërsa fqinjët kanë treguar se zjarri është përhapur me shpejtësi dhe askush nuk ka mundur të ndërhyjë në kohë për t’i shpëtuar.
Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit, por dyshohet se mund të ketë qenë një defekt elektrik ose një pajisje e mbetur ndezur që shkaktoi flakët. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të përcaktuar rrethanat e plota të kësaj tragjedie që i mori jetën nënës dhe fëmijës së saj.
Ky rast ka tronditur thellë opinionin publik dhe komunitetin e Maliqit, ku fqinjët dhe të afërmit janë shprehur të shokuar nga humbja e menjëhershme e dy anëtarëve të një familjeje të njohur në zonë.
