Një nga ato histori që rikujton thellësisht humanizmin dhe solidaritetin e popullit shqiptar gjatë një prej periudhave më të errëta të historisë moderne të Ballkanit, është risjellë në vëmendje përmes një momenti prekës dhe simbolik.
Pas 26 vitesh, një grua nga Tirana, zonja Lirie, është ribashkuar me vajzën nga Peja, të cilën e mbajti në krahë në vitin 1999, kur kjo e fundit ishte vetëm një fëmijë i vogël, i shpërngulur nga lufta.
Në kulmin e dhunës dhe spastrimeve etnike në Kosovë, me qindra-mijëra shqiptarë të Kosovës u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për të shpëtuar jetën. Familje të tëra, gra, fëmijë e të moshuar, u strehuan në Shqipëri, ku gjetën mikpritje, ngrohtësi dhe përkujdesje në shtëpitë e shqiptarëve që, pa mëdyshje, hapën dyert dhe zemrat për ta.
Një prej atyre familjeve ishte edhe ajo e zonjës Lirie nga Tirana, e cila në atë kohë priti në shtëpinë e saj një familje nga Peja. Ajo kujton se kishte mbajtur në krahë një vajzë të vogël, të frikësuar por të dashur, të cilën e kishte përqafuar si të ishte bija e saj. Ishte një moment që i mbeti thellë në kujtesë, si shumë të tjerëve që përjetuan nga afër dhimbjen dhe shpresën e asaj kohe.
Tashmë, pas më shumë se një çerek shekulli, rrugët e tyre u kryqëzuan sërish, këtë herë në qytetin e Pejës. Zonja Lirie ka udhëtuar për të takuar sërish vajzën që dikur mbante në duar – tashmë një grua e rritur.
Ato kanë rikrijuar bashkë fotografinë e famshme të vitit 1999, duke e kthyer atë çast në një simbol të fuqishëm të kujtesës kolektive dhe lidhjes së pashkëputshme mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës.
Momenti i ribashkimit është ndarë në rrjetet sociale nga Melisa Zekaj, dhe ka prekur zemrat e mijëra ndjekësve që kanë komentuar me mallëngjim, krenari dhe mirënjohje për sakrificën dhe dashurinë që shoqëroi mikpritjen e asaj periudhe.
Kjo histori është një kujtesë e fortë e fuqisë së solidaritetit në kohë lufte, e dashurisë së pakushtëzuar dhe e shpresës që, edhe pas dekadash, rigjallërohet në mënyrat më të papritura dhe më të bukura.



