Punimet për ndërtimin e aksit rrugor Berat-Ballaban po ecën me ritme të shpejta, duke arritur në një fazë të avancuar. Tashmë, traseja e rrugës është hapur në të gjithë gjatësinë e saj dhe po punohet paralelisht për ndërtimin e mureve mbajtëse dhe shtresave, ndërkohë që ka nisur edhe hedhja e shtresës së parë të asfaltit (binderit).
Zv/kryeministrja Belinda Balluku, së bashku me Ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, dhe drejtorin e ARRSH-së, Gentian Gjyli, inspektuan nga afër ecurinë e punimeve në zonën e Këlcyrës. Balluku theksoi se projekti, i cili lidh dy qarqe dhe disa bashki, do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit dhe pritet të ketë një ndikim të madh në zhvillimin e turizmit.
Zhvillimi ekonomik dhe turistik i zonës
Impakti i këtij projekti ka nisur të ndihet që tani, me shumë banorë që kanë investuar në hapjen e bujtinave të para. Përfundimi i aksit rrugor do të shërbejë si një nxitje e fortë për ekonominë lokale, duke rritur potencialin e madh bujqësor dhe turistik të zonës. Zv/kryeministrja Balluku shprehu optimizmin se kantieri do të përfundojë brenda muajit tetor, dhe theksoi se nga viti i ardhshëm, kjo rrugë do të kthehet në një arterie të rëndësishme për turizmin.