Një qytetare nga Kavaja është drejtuar në emisionin “Stop” në Tv Klan, pasi tregon se është ndarë nga ish-bashkëshorti, me të cilin ka dy fëmijë të moshës katër dhe nëntë vjeç. Ajo thotë, se u ndanë pasi ish-bashkëshorti nuk e lejonte, që të praktikonte fenë islame dhe u largua nga shtëpia bashkë me fëmijët.
Një muaj më vonë, ai merr fëmijët për t’i takuar dhe nuk i kthen më. Zonja bëri kërkesë për zgjidhjen e divorcit në Durrës dhe ish-bashkëshorti e kishte hapur në Tiranë, ku qytetarja bën kërkesa për marrjen e masës së përkohshme, por nuk i aprovohet nga gjyqtarja.
Gjithashtu të dyja palët, pajisen me urdhër-mbrojtjeje, por nuk bëhet asnjë raport psikologjik dhe gjykata vendos, që nëna do t’i takojë fëmijët vetëm ditën e premte. Zonja kërkon, që të rrijë më shumë me ta, pasi prej kohësh i takon shumë pak.
“Përshëndetje jam një qytetare e Kavajës. Jam e martuar prej 12 vitesh me një qytetar nga Kavaja, nga kjo martesë kam dy fëmijë të moshës nëntë dhe katër vjeç.
Vitin e kaluar jemi ndarë fizikisht, unë jam larguar nga shtëpia bashkë me fëmijët, më datë 17 mars të vitit të kaluar. Arsyeja e ndarjes ka qenë se unë jam praktikante e fesë islame dhe ish-bashkëshorti im nuk më lejonte që ta praktikoja.
Çështja arriti deri në dhunë fizike dhe psikologjike. Më përndiqte gjatë gjithë kohës , nuk më lejonte që të falesha dhe kjo pastaj çoi deri në ndarje.
Pas një muaji, ish-bashkëshorti i takonte fëmijët çdo ditë, i çonte dhe në shkollë. Me pretekstin se do të takonte kushërinj që kishin ardhur nga jashtë, i mori dhe nuk m’i ktheu më.
Në atë moment unë nisa procedurat e divorcit. Hapa një kërkesë-pari në Gjykatën e Durrësit. Unë marr vesh që ai kishte hapur një kërkesë padi në Gjykatën e Tiranës më 11 maj të viti të kaluar.
Bëj një kërkesë në Gjykatën e Tiranës për marrjen e masës së përkohshme për të marrë fëmijët, në kërkesën e parë gjyqtarja e refuzoi, në kërkesën e dytë nuk mora asnjë përgjigje.
Nga momenti që i mori ish-bashkëshorti në fillim i kam takuar shumë rrallë, pasi kam shkuar një ditë në shtëpinë e tij për t’i takuar, pasi kisha më shumë se një muaj pa i takuar, në momentin që hyj brenda fëmijët më përqafojnë.

