Tiranë / Leskovac – Humbja e Serbisë ndaj Shqipërisë në ndeshjen e fundit, e cila i zbehu ndjeshëm shanset për kualifikim në Kupën e Botës, ka lënë një shije të hidhur në opinionin sportiv serb. Megjithatë, heroi i kuqezinjve, Rej Manaj, ka vendosur t’i thellojë edhe më tej “plagët” e Serbisë me një deklaratë të papritur.
Sulmuesi i Kombëtares, autor i golit të fitores në Leskovac, zbuloi në një intervistë të fundit se urimet për golin i kanë ardhur edhe nga një shtetas serb: trajneri i tij te klubi i Sharjah, Milosh Milojević.
Në një prononcim për median “Al Etihad”, Manaj theksoi marrëdhënien e tij profesionale me trajnerin serb, duke e parë urimin si një gjest sportiv normal.
“Marrëdhënia ime me trajnerin Milojević është e shkëlqyer. Kam respektin maksimal për të. Në fund të fundit, ai më përgëzoi kur u ktheva në klub nga angazhimi me Kombëtaren,” – tha Manaj.
Futbollisti shtoi se kjo situatë është normale në botën e futbollit, duke lënë të kuptohet se sukseset personale janë të ndara nga rivalitetet kombëtare.
“Kjo është normale në futboll, ne jemi të gjithë këtu për shkak të suksesit të Sharjah.”
Deklarata e Manajt, duke zbuluar përgëzimet nga një figurë e sportit serb pas një fitoreje me një ngarkesë të madhe emocionale politike dhe sportive, ka shkaktuar interes të madh dhe shihet nga tifozët kuqezinj si një “thumb” i fortë ndaj Serbisë. Goli i tij vazhdon të mbetet vendimtar jo vetëm për tre pikët, por edhe për situatën e grupit kualifikues.