Një histori e pazakontë vjen nga Tirana, ku një 82-vjeçare e njohur si Irini po përballet me autoritetet e bashkisë për shkak të dashurisë së saj ndaj maceve. Irini, e cila ushqen në shtëpinë e saj jo vetëm macet e saj por edhe ato të braktisura, është gjobitur me 10 mijë lekë nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit e Bashkisë së Tiranës.
Arsyeja e gjobës, sipas fletës zyrtare, është “ndotja akustike” e shkaktuar nga macet. Për këtë shkak, Irinit i është urdhëruar që menjëherë të largojë macet nga prona e saj. Megjithatë, e moshuara ka refuzuar të paguajë gjobën dhe të heqë dorë nga kafshët që ajo i konsideron si pjesë të familjes së saj.
Beteja e Irinit ka përfunduar në Gjykatën Administrative, ku avokatja e saj ka depozituar një padi të rrallë. E moshuara argumenton para gjykatës se nuk ekziston asnjë ligj në Shqipëri që ndalon mbajtjen e maceve dhe se ato janë shoqërueset e saj të përditshme, duke i dhuruar dashuri dhe ngrohtësi.
Gjykata Administrative ka hedhur shortin për çështjen dhe pritet të shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar kërkesën paraprake për sigurim padie. Kjo kërkesë synon pezullimin e detyrimit të pagesës së gjobës deri sa çështja të shqyrtohet në themel nga gjykata. Ky rast ka ngjallur reagime të ndryshme në opinionin publik, duke vënë në dukje ndjeshmërinë e shoqërisë ndaj trajtimit të kafshëve dhe të drejtës së individit për të ndihmuar kafshët e braktisura.