Sezoni i katërt i reality show-t më të ndjekur në Shqipëri, “Big Brother VIP Albania”, u mbyll më 19 prill me fitoren e këngëtarit nga Kosova, Besart Kelmendi, i njohur për publikun si Gjesti. Fitorja e tij u përshëndet nga një pjesë e madhe e fansave, ndërsa gjithashtu u shoqërua me diskutime të shumta rreth rrugëtimit të tij në shtëpi.
Gjatë qëndrimit në shtëpinë më të famshme, Gjesti kaloi një rrugë të vështirë emocionale, përballoi debate të forta me banorët dhe përjetoi një presion të jashtëzakonshëm psikologjik. Një nga momentet më të bujshme të sezonit ishte incidenti fizik mes tij dhe ish-banorin Joz Marku.
Në një ngjarje që u komentua gjerësisht në rrjete sociale dhe media online, Jozi, në momentin që po largohej nga shtëpia, e goditi Gjestin me shuplakë. Ky veprim i papritur shkaktoi indinjatë të madhe tek publiku dhe hapur debate mbi kufijtë e sjelljes së pranueshme në një format televiziv të tillë.
Pas përfundimit të spektaklit, në rrjet ka nisur të qarkullojë informacioni se Gjesti mund të ndërmarrë hapa ligjorë kundër Jozit, duke e akuzuar atë për dhunë fizike dhe për dëmtim të imazhit të tij publik. Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga ana e këngëtarit apo përfaqësuesve të tij ligjorë lidhur me një proces të mundshëm gjyqësor.
Në anën tjetër, duket se Jozi nuk e ka ndalur aktivitetin e tij pas daljes nga “Big Brother VIP”. Së fundmi, ai ka tërhequr vëmendjen me një postim të ri në Instagram, ku shihet duke ngritur grushtin, shoqëruar me mbishkrimin “Gati?”. Ky sinjal lë të kuptohet se Jozi është në përgatitje për të publikuar një projekt të ri muzikor.
Ky postim është interpretuar nga ndjekësit si një tentativë për të lënë pas incidentet e spektaklit dhe për t’u fokusuar në karrierën e tij artistike. Megjithëse përplasjet gjatë “Big Brother VIP” kanë lënë gjurmë, duket se palët po ndjekin rrugë të ndryshme: Gjesti i përkushtuar në jetën e tij pas fitores dhe Jozi në rikthimin e tij në muzikë.
Pritet të shihet në ditët në vijim nëse do të ketë zhvillime të reja ligjore ose artistike që do të mbajnë ende në qendër të vëmendjes dy ish-banorët.
