Forcat Ajrore Gjermane (Luftwaffe) do të vendosin pesë avionë luftarakë “Eurofighter” në Poloni për një periudhë disa javore. Ky vendim, i paralajmëruar që në janar nga ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, vjen si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të forcuar mbrojtjen e krahut lindor të NATO-s.
Që prej ditës së nesërme, avionët do të operojnë nga baza ajrore e Minsk Mazowiecki, në lindje të Varshavës, sipas një zëdhënësi të Forcave Ajrore Gjermane. Rreth 150 ushtarë të Bundeswehr (ushtria gjermane) janë tashmë në terren për të mbështetur këtë mision.
Që nga prilli, forcat ajrore gjermane kanë ndihmuar ushtrinë polake në monitorimin e hapësirës ajrore të Polonisë. Komanda e lartë e ushtrisë polake njoftoi në platformën X se avionët do të mbështesin mbrojtjen e hapësirës ajrore të krahut lindor të NATO-s. “Ky është një tjetër shembull i bashkëpunimit mes aleatëve dhe i përkushtimit të tyre të vërtetë ndaj sigurisë së Evropës Qendrore dhe Lindore,” thuhet në deklaratë.
Polonia është një mbështetëse kyçe e Ukrainës që prej fillimit të pushtimit rus dhe luan një rol qendror si qendër logjistike për ndihmën ushtarake perëndimore. Vendi po ndjek një program të gjerë riarmatimi, duke e konsideruar veten të kërcënuar nga Rusia.