Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka ndarë me publikun lajmin e miratimit të lejes së ndërtimit për një rrugë të re me rëndësi strategjike, e cila do të lidhë qarkun e Shkodrës me atë të Kukësit, duke përshkruar zonat mahnitëse të Alpeve Shqiptare.
Sipas zotit Beci, kjo rrugë e re do të lidhë Shkodrën me Thethin, Nikaj-Mërturin, Tropojën dhe do të vazhdojë drejt Gjakovës, duke u bërë funksionale brenda një kohe të shkurtër. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Beci u shpreh se bashkia ka miratuar lejen e ndërtimit për këtë rrugë, e cila shihet si një nga arteriet më të rëndësishme në Alpet Shqiptare dhe që do të krijojë të ashtuquajturin “Trekëndëshi turistik Theth – Curraj i Epërm – Valbonë”.
Segmenti i rrugës që do të ndërtohet në territorin e Bashkisë Shkodër përfshin linjën Lekaj – Abat – Pecaj – Qafa e Ndërnajes, me një gjatësi totale prej 13,4 kilometrash dhe shtrihet në njësinë administrative Shalë. Kryebashkiaku Beci theksoi se kjo rrugë do të shkurtojë ndjeshëm distancën mes Thethit dhe Lekbibajt, duke lidhur mbi 380 struktura pritëse turistike si bujtina dhe kulla alpine, të cilat janë pjesë e ofertës turistike të Alpeve. Ai shtoi se projekti do të forcojë lidhjet mes zonave të Dukagjinit, Nikaj-Mërturit dhe Gjakovës, si dhe do të ndihmojë komunitetet vendase dhe emigrantët të rikthehen dhe të investojnë në vendlindjen e tyre.
Sipas Benet Becit, ky projekt ambicioz është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Bashkisë Shkodër dhe Qeverisë shqiptare, dhe do të realizohet nëpërmjet financimit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ai shprehu bindjen se kjo rrugë do t’i kthejë zonat e Alpeve në qendra të zhvillimit të qëndrueshëm turistik dhe ekonomik, duke potencializuar bukuritë natyrore dhe vlerat kulturore të kësaj zone.