Skip to content

Fundoset anija, hjumbje jete, të plagosur dhe të zhdukur

Një anije mallrash me flamur të Liberisë, e quajtur Eternity C, është fundosur në Detin e Kuq pranë brigjeve të Jemenit, si pasojë e një sulmi të kryer nga rebelët Huthi. Lajmin e ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar katër burime të njohura me situatën.

Sipas burimeve, menjëherë pas sulmit është nisur një operacion shpëtimi, gjatë të cilit pesë anëtarë të ekuipazhit janë shpëtuar deri më tani. Anija, e cila operohej nga kompania greke Cosmoship Management, kishte në bord 22 persona: 21 shtetas filipinas, një shtetas rus dhe roje të armatosura.

Fillimisht u raportua për dy viktima, sipas Përfaqësuesit të Përhershëm të Liberisë në Organizatën Ndërkombëtare Detare (IMO), Robert Wilmot Kpadeh. Megjithatë, informacione të mëvonshme nga kanali grek ERT-news bëjnë të ditur se numri i viktimave është rritur në tre, ndërsa dy persona të tjerë, përfshirë shtetasin rus, janë plagosur rëndë. Po ashtu, dy anëtarë të ekuipazhit rezultojnë të zhdukur dhe kërkimet për ta vijojnë.

Sipas Operacioneve Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO), anija Eternity C u sulmua fillimisht më 7 korrik me pesë granata me raketa. Një ditë më vonë, ajo pësoi dëmtime të konsiderueshme, humbi shpejtësinë dhe u rrethua nga anije të vogla, duke kulmuar me fundosjen e saj. Incidenti ka ndodhur rreth 51 milje detare (95 km) në perëndim të qytetit portual Hodeidah në Jemen.

Kjo ngjarje e rëndë është një tjetër shenjë e përshkallëzimit të kërcënimeve ndaj transportit detar ndërkombëtar në Detin e Kuq. Rebelët Huthi kanë intensifikuar sulmet ndaj anijeve tregtare në këtë zonë strategjike, shpesh si një përgjigje ndaj zhvillimeve të fundit në konfliktin në Gaza, duke rritur shqetësimin për sigurinë e lundrimit në ujërat ndërkombëtare.

Published inLajme