Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florian Binaj, ka folur për herë të parë publikisht rreth vendimit të tij të papritur për t’u përfshirë në garën politike dhe ka sqaruar lidhjet e tij të kaluara me kryeministrin Edi Rama dhe ish-kryebashkiakun Erion Veliaj.
Gjatë një interviste në emisionin “Top Story” në Top Channel, Binaj u pyet direkt për fotot që qarkullojnë në rrjetet sociale me dy figurat kryesore të Partisë Socialiste, duke ofruar këtë shpjegim:
Lidhja me Edi Ramën: Skeçi dhe Zhgënjimi
Binaj e lidhi daljen e tij në foto me Ramën me angazhimin e tij si aktor dhe imazhin e Ramës në atë kohë:
“Me Ramën dola në foto në një organizim FRESSH-i. Në atë periudhë, të gjithë thonin që Rama ishte e vetmja zgjidhje që mund ta shpëtojë vendin. Duke qenë imitues i atij bëra një skeç dhe bëra një lidhje me Ramën, që më dha një mandarinë. Takimin e fundit me Ramën e kam në vitin 2015, që atëherë nuk e kam takuar më dhe as nuk kam folur më. Ne besonim në atë kohë tek ai se nuk e kishim provuar, por u zhgënjeva më pas me atë që ndodhi.”
Fotoja “E Kapur” Me Erion Veliajn
Për foton me Erion Veliajn, Binaj tregoi një histori ku pretendon se u përfshi pa dashje në një moment PR (marrëdhënie me publikun) të Veliajt:
“Foton me Veliajn të fundit e kam o në 2014 o në 2015, kur ka qenë ministër… Më merr një zonjë më thotë punoj te zyra e pritjes së moshës së tretë dhe organizojmë mbledhim ushqime dhe ata të kanë qef të të takojnë, i thashë patjetër do vi. Takohem përqafohem me pleqtë, dhe duke i shërbyer drekë, dhe shoh një hije që vjen shpejt dhe Lali që thotë: Shpejt një foto, shkrepe, shkrepe, shpejt.”
Binaj këmbëngul se nuk e dinte që Veliaj ishte aty dhe thekson se, për më tepër, Veliaj “në atë kohë nuk ishte ai që është sot, nuk kishte bërë ato që ka bërë sot.” Ai shtoi se pas kësaj ngjarje nuk ka qenë më kurrë me të.