Teoricieni i njohur, Alfred Cako, ka lëshuar një alarm publik përmes një shkrimi të gjatë në rrjetet sociale, duke pretenduar se Shqipëria është kapur nga një plan sekret mes dy “familjeve politike”, asaj të Edi Ramës dhe Sali Berishës. Sipas Cakos, ky plan synon të çimentojë pushtetin e tyre për dekadën e ardhshme, duke sakrifikuar sovranitetin kombëtar.
Cako pretendon se Kryeministri Edi Rama, pas përfundimit të katër mandateve, synon të bëhet President i Republikës për 10 deri në 14 vjet. Për të realizuar këtë, sipas Cakos, Rama po përgatit ndryshime kushtetuese, për të cilat ka nevojë për mbështetjen e opozitës.
Në këtë kuadër, ai akuzon se “neutralizimi” i kryebashkiakut Erion Veliaj është bërë me qëllim që t’i lirohet vendi për t’ia dorëzuar Bashkinë e Tiranës familjes Berisha, në këmbim të pazarit politik. Cako shkon më tej duke e lidhur këtë skemë me vrasjen e ish-politikanit Sokol Olldashi.
Në teorinë e tij, Cako paralajmëron se qytetarët rrezikojnë të humbin sovranitetin kombëtar. Ai shton se Kodi i ri Penal dhe marrëveshjet me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) do të përdoren si armë kundër lirisë së fjalës.
Cako i bën thirrje popullit shqiptar për një “zgjim kombëtar” dhe, si pjesë e kësaj lëvizjeje, ka shpallur edhe kandidaturën e tij për President të Republikës. Ai shprehet se do të luftojë për të ndaluar këto plane, duke e mbyllur mesazhin me moton: “Më mirë një fund i tmerrshëm, sesa një tmerr pa fund.”