Një skenë e pazakontë dhe një ndërthurje mes fushatës politike dhe humorit është regjistruar sot në qytetin e Fierit, ku kryeministri Edi Rama ka pasur një “seancë falli” live në skenë. Protagoniste ka qenë aktorja e njohur e humorit Delinda Disha, e cila ka hyrë në rolin e një fallxhoreje për të lexuar “fatet” e Partisë Socialiste dhe vetë Ramës, në një moment që u përshëndet me të qeshura dhe duartrokitje nga të pranishmit.
Delinda, me një paraqitje të stilizuar si fallxhore, është afruar pranë kryeministrit duke mbajtur një filxhan dhe ka filluar të “lexojë” të ardhmen e tij politike. Me tone humoristike por të mbështjella me mesazhe politike, ajo ka folur për projekte në vijën bregdetare nga Semani në Vjosë, duke nënkuptuar vazhdimësinë e investimeve në infrastrukturë dhe turizëm nga qeveria.
Por ajo që ka tërhequr më shumë vëmendje ishte “parashikimi” për rezultatin e zgjedhjeve. “O 77 o 78, por më shumë mendoj se 78,” i ka thënë aktorja Ramës, duke iu referuar numrit të mandateve që sipas saj do të marrë Partia Socialiste në zgjedhjet e ardhshme. Rama ka buzëqeshur, ndërsa publiku e ka përshëndetur me të qeshura.
Momenti më simbolik erdhi në fund, kur Delinda Disha i dorëzoi Ramës dhe zv.kryeministres Belinda Balluku nga një nuskë. Me një gjuhë alegorike dhe plot humor, ajo i udhëzoi si ta përdornin:
“Do e mbash sonte këtu (duke treguar xhepin afër zemrës), kurse nesër, kur të shkosh në Tiranë, do e hedhësh në Lanë”, i tha ajo Ramës.
Ndërsa për Belindën, instruksioni ishte tjetër:
“Edhe ti do ta hedhësh… po jo në Lanë, në Gjanicë!”
Ky moment është pritur me entuziazëm nga të pranishmit dhe është komentuar gjerësisht në rrjetet sociale, ku videoja ka nisur të qarkullojë me ritme virale. Ndonëse ishte një inskenim artistik, mesazhi i nënkuptuar ishte i qartë: një përpjekje për ta bërë më të afërt dhe më argëtues komunikimin politik në prag të zgjedhjeve.
Ngjarja i shton fushatës së Partisë Socialiste një element spektakli dhe ironie të lehtë, ndërkohë që vetë Edi Rama duket se po luan gjithnjë e më shumë me format kreative për të mbajtur gjallë vëmendjen dhe për të përcjellë mesazhe politike në mënyrë jo konvencionale.
Në fund, mbetet për t’u parë nëse “falli” i Delindës do të dalë i saktë – dhe nëse nuskat për në Lanë e Gjanicë do të mbajnë ndonjë peshë simbolike për rezultatin që po afron.