Një raportim i publikuar nga Ora News ka zbuluar një skandal të rëndë që dyshohet se po ndodh në burgjet e Shqipërisë, ku femra esk0rtë, përfshirë edhe vajza të njohura nga emisionet televizive dhe rrjetet sociale, pretendohet të jenë futur në ambientet e burgjeve për takime speciale me të dënuar dhe të paraburgosur.
Pas skandalit të publikuar më parë për takimin mes kosovares Ziza Pajaziti dhe të dënuarit me burgim të përjetshëm Laert Haxhiu në burgun e Drenovës, Ora News raporton se një praktikë e ngjashme ka ndodhur edhe në burgun e Reçit në Shkodër. Gati dy muaj më parë, dy vajza të njohura të showbiz-it shqiptar me inicialet A.D dhe R.R dyshohet se kanë hyrë në javë të ndryshme në këtë burg dhe pasi kanë zhvilluar takime në dhoma speciale me një të dënuar të grupit “Bajri”, janë larguar sërish.
Sipas raportimit, prezenca e vajzave në burgun e Reçit është e regjistruar në librat e hyrje-daljeve dhe imazhet e tyre janë fiksuar nga kamerat e sigurisë së burgut. Burime pranë burgut kanë konfirmuar për Ora News se takimet janë zhvilluar me një nga anëtarët e izoluar të grupit “Bajri”.
Mësohet se shefi i policisë së burgut të Reçit, Dylber Beqiri, dhe drejtori i burgut, Leonard Mardoda, kanë qenë në dijeni të plotë të këtyre hyrjeve. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka marrë masa duke i pezulluar nga detyra dy zyrtarët në fjalë, dhe pezullimi pritet të ekzekutohet në ditët në vijim.
Ora News raporton gjithashtu se futja e femrave esk0rtë në burgje është kthyer në një praktikë të zakonshme, ku ato shpesh hyjnë duke u maskuar si bashkëshorte ose kushërira të të dënuarve. Informacione të ngjashme vijnë edhe nga burgjet e sigurisë së lartë në Korçë, Burrel, Peqin dhe paraburgimi 313 në Tiranë, duke sugjeruar se vajza nga showbiz-i shqiptar, eskorta nga Kosova, Venezuela dhe Bolivia kanë hyrë për takime speciale me të dënuar me burgim të përjetshëm.