Pas përplasjes me policinë dhe çarjes së kordonit të sigurisë, mijëra qytetarë arritën të zhvendosnin protestën e tyre për të katërtën ditë me radhë para kryeministrisë.
Gjatë tubimit, një banore nga Rrjolli iu drejtua protestuesve me një mesazh për ruajtjen e qetësisë dhe shmangien e provokimeve, duke theksuar se protesta duhet të mbetet paqësore dhe paralajmëroi se do të vijojnë qëndrimin në shesh deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Kemi një thirrje të madhe për të gjithë, e arritëm qëllimin dhe erdhëm sërish këtu para kryeministrit. Këtu do rrimë sërish deri sa ai të japë dorëheqjen. Ne nuk jemi të dhunshëm si kjo qeveri”, tha ajo.
Më tej ajo theksoi se kjo është protestë e popullit, nuk ka nevojë për organizatorë dhe se mes tyre nuk ka grup dialogu për kryeministrin, por dialogu është sheshi.
Banorja e Rrjollit: Është e disata herë që duan të përçajnë këtë bashkim paqësor të shqiptarëve. Është e disata ditë që jemi të gjithë bashkë, çdo ditë e më shumë. Janë nëna me fëmijë mes jush, mos provokoni dhunë. Ne nuk jemi si ata. Ju lutemi të gjithë, mos bini pre e provokimit të dhunës. Politika ka hyrë mes nesh, patronazhistët kanë hyrë mes nesh për të sabotuar këtë bashkim të shqiptarëve.
Kemi një thirrje të madhe për të gjithë, e arritëm qëllimin dhe erdhëm sërish këtu para kryeministrit. Këtu do rrimë sërish deri sa ai të japë dorëheqjen. Ne nuk jemi të dhunshëm si kjo qeveri, me oligarkët e tij, me mafien e tij dhe me policinë e shtetit, që shumë herë e ka kthyer në rojë private të favoreve të veta.
Nuk duhet të bëhemi palë e dhunës sot, duhet të tregojmë se jemi bashkë të gjithë në shesh deri sa kjo kasë e vjetër politike të largohet. Është e qartë se është protestë e popullit, nuk ka nevojë për organizatorë. Jeni ju ata që bëni thirrje, që merrni vendimet. Ne nuk kemi grup dialogu për kryeministrin, dialogu është sheshi!
