Kryeministri Edi Rama ka komentuar rënien e shifrave të turizmit në Shqipëri gjatë këtij sezoni, duke mohuar lidhjen e kësaj rënieje me aksionin e qeverisë për lirimin e hapësirave publike. Në një komunikim me ndjekësit në rrjetet sociale, Rama theksoi se problemi kryesor qëndron te sjellja e disa sipërmarrësve në industri.
“Rilindja urbane 2.0 do të vazhdojë për 4 vjet, nuk është një aksion veror, është një proces,” u shpreh Rama. Ai shtoi se çështja e turistëve nuk lidhet me këtë aksion, por me disa probleme të tjera, të cilat do t’i trajtojë në shtator. Kryeministri fajësoi një pjesë të sipërmarrjeve turistike se po vendosin çmime shumë të larta, gjë që po e dëmton imazhin e vendit si një destinacion i lirë.
Masa radikale për plazhet vitin e ardhshëm
Rama paralajmëroi masa të reja dhe radikale për vitin e ardhshëm, duke thënë se “do të marrim masa radikale me plazhet vitin tjetër, bashkitë do të marrin shumë më shumë”. Kjo deklaratë lë të kuptohet se ndërhyrjet e qeverisë do të shtrihen edhe më gjerësisht në menaxhimin e hapësirave bregdetare, me një rol më të madh për pushtetin vendor. Ai shtoi se sjellja e disa sipërmarrësve, të cilët mendojnë vetëm për përfitimet afatshkurtra, po “i bën gropën vetes për nesër” duke dëmtuar potencialin e turizmit shqiptar.