Një 58-vjeçar është ekzekutuar mëngjesin e sotëm me tre plumba në Vlorë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Hajro Çakërri”, në orën 06:00 të mëngjesit, teksa Renato Hoxhaj po shkonte në shtëpi.
Sipas informacioneve të mbledhur nga korrespondenti i Top Channel Mikel Marsi, ai është qëlluar në afërsi duke shkuar në banesë, tek shkallët në hyrje së pallatit.
Ka qenë bashkëjetuesja e tij ajo që ka dëgjuar të shtënat dhe më pas pa parë trupin e vdekur, duke njoftuar policinë. Ajo ka shpërthyer në lot, duke thënë “e vranë mo e vranë”, ndërsa më pas është marrë në pyetje nga policia.
Dyshohet se autori/ët mund të këtë hyrë edhe nga një rrugë tjetër pas lagjes e cila ishte si shteg pa kamera sigurie dhe në errësirë totale.
Ndërkohë që ende nuk ka një pistë në lidhje me shkakun, teksa policia e Vlorës ka marre dhe kamerat e sigurisë së disa subjekteve aty pranë ku mendohet se mund të ketë kaluar autori.
Viktima ishte i divorcuar, baba i dy fëmijëve, dhe bashkëjetonte me një grua.
Korrespondenti i Top Channel në Vlorë, Mikel Marsi, bën me dije se 58-vjeçari është vrarë në rrugë, në afërsi të banesës së tij, ndërsa policia po heton mbi ngjarjen.
Sipas policisë 58 vjeçari Renato Hoxhaj është qëlluar me tre plumba, dy në kokë dhe një në kraharor.
Po në afërsi të banesës së tij ai punonte si roje, në një objekt ndërtimi.
Ndërkohë mësohet se 58-vjeçari nuk ka pasur asnjë precedent të mëparshëm penal, ndërsa në zonë njihej si njeri jo problematik. Ai ishte i divorcuar dhe baba i dy fëmijëve dhe jetonte vetëm.
Pranë vendit ku është vrarë ka edhe kamera sigurie, të cilat janë marrë nga policia për tu këqyrur, ndërsa po ashtu është marrë në pyetje edhe një prej familjarëve të viktimës.
