“Nuk jam shtatzënë. E kam parë dhe lexuar gjithçka që është shkruar për mua, dhe e ndjej si detyrim që t’u përgjigjem këtyre spekulimeve. Kam kaluar disa vështirësi shëndetësore, të cilat kanë ndikuar në trupin tim. Është absurde që çdo ndryshim në fizikun e një gruaje të shoqërohet menjëherë me dyshime për shtatzëni,” deklaroi Mevlani.
Ajo nuk la pa kritikuar as mënyrën si disa portale dhe ndjekës të rrjeteve sociale ndërhyjnë në mënyrë të papërmbajtur në jetën e personazheve publikë, duke ushqyer thashetheme pa verifikuar asgjë. Me tone të qarta dhe emocionale, Mevlani u shpreh se këto ndërhyrje, përveçse të pabaza, janë edhe të dëmshme për mirëqenien mendore të personit që gjendet nën fokusin e kritikës.
“Mënyra se si komentohet në portale është e frikshme. Gjykimi është i menjëhershëm dhe shpeshherë mizor. Nëse do të isha shtatzënë, do të vendosja vetë kur dhe si ta ndaja me publikun. Por tani, pas gjithë këtyre komenteve, u detyrova të dal dhe të sqaroj diçka që s’duhej të ishte fare çështje publike. Kam menduar shpesh nëse duhet të flas për gjëra kaq personale, por në fund them me vete: A është vërtet e nevojshme që të justifikohemi për çdo ndryshim që pëson trupi ynë?”, u shpreh ajo.
Armina foli edhe për presionin që shoqëria ushtron mbi gratë, sidomos figurat publike, duke i vënë përballë standardeve të paarritshme dhe pritshmërive absurde. Sipas saj, në një moment të caktuar në jetë, çdo njeri arrin një pikë ku nuk ndikohet më nga mendimet e të tjerëve dhe fillon të jetojë sipas ritmit dhe nevojave të veta.
“Kam hyrë në një fazë të jetës ku nuk e vras më mendjen për atë që thonë njerëzit. Vjen një moment kur krijon një lloj imuniteti ndaj negativitetit, thashethemeve dhe paragjykimeve. Unë nuk dua të justifikohem më për gjëra që janë pjesë intime e jetës sime. Besoj te energjitë, te syri i keq, dhe ndaj preferoj ta mbaj privatësinë time të mbrojtur, sa herë që mundem,” përfundoi Mevlani.
Me këtë deklaratë të sinqertë dhe të gjatë, Armina jo vetëm që shuan një herë e mirë aludimet për një shtatzëni, por edhe hedh dritë mbi presionin e padrejtë që shoqëria ushtron ndaj grave përmes komenteve të pamëshirshme mbi trupin dhe jetën e tyre personale.