Një zbulim i tmerrshëm ka tronditur qytetin e Ciudad Juarez në Meksikën veriore, ku autoritetet kanë gjetur qindra kufoma të grumbulluara në mënyrë të papërshtatshme brenda një krematoriumi privat. Zyra e prokurorit lokal e ka cilësuar këtë zbulim si rezultat i neglizhencës së rëndë nga ana e pronarëve dhe operatorëve të krematoriumit.
Sipas deklaratave të Eloy Garcia, zëdhënësit të zyrës së prokurorit të shtetit Chihuahua, fillimisht u raportua për gjetjen e 60 trupave të balsamosura brenda një shtëpie funeraleje që operonte si krematorium në qytetin kufitar të Ciudad Juarez. Megjithatë, raportime të tjera të mediave ndërkombëtare, si Daily Sabah, kanë rritur këtë shifër në 381 kufoma.
Garcia ka shpjeguar se kufomat ishin “të grumbulluara” pa asnjë lloj rregulli apo sistemimi në dhoma të ndryshme të ndërtesës. Ai ka shtuar se trupat ishin thjesht “hedhur ashtu, pa dallim, njëri mbi tjetrin, në dysheme”. Të gjithë trupat e gjetur ishin balsamosur, duke sugjeruar se ato ishin përgatitur për kremim. Autoritetet vlerësojnë se disa nga mbetjet mund të kenë qëndruar në këtë gjendje deri në dy vjet.
Një fakt tronditës tjetër i zbuluar nga hetimet është se, në vend të hirit të personave të dashur, familjarëve u ishin dhënë “materiale të tjera”, duke implikuar një praktikë mashtruese dhe mungesë respekti ndaj familjeve në zi.
Zëdhënësi Garcia ka akuzuar pronarët e krematoriumit për “pakujdesi dhe papërgjegjësi”, duke theksuar se të gjitha bizneset e tilla duhet të jenë të vetëdijshme për kapacitetin e tyre të përditshëm të kremimit dhe nuk duhet të pranojnë më shumë trupa sesa mund të përpunojnë.
Një nga administratorët e krematoriumit tashmë është dorëzuar tek prokurorët dhe ndodhet në mbajtje. Autoritetet nuk kanë specifikuar ende nëse kufomat e gjetura u përkasin viktimave të dhu.nës krim1nale, apo personave që kanë ndërruar jetë nga shkaqe natyrale. Hetimet vijojnë intensivisht për të zbardhur të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje makabre dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të personave të implikuar. Zbulimi ka shkaktuar indinjatë të madhe në nivel lokal dhe kombëtar në Meksikë, duke ngritur pyetje serioze mbi standardet e funksionimit dhe mbikëqyrjen e krematoriumeve private.