Skip to content

E Rëndë! Një ushtar i vdekur, një tjetër i plagosur në përpjekjet për shuarje zjarresh

Një ushtar i Malit të Zi ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë pas përmbysjes së një autocisterne që po përdorej për të luftuar zjarret në rajonin Kuça, pranë Podgoricës. Lajmi u konfirmua nga Ministria e Mbrojtjes, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të incidentit.

Situata në Mal të Zi mbetet alarmante, me “alarm të kuq” të shpallur për shkak të zjarreve masive që po përhapen me shpejtësi, të ndihmuara nga era e fortë. Zjarrfikësit, ushtria dhe policia po punojnë prej dy ditësh për të vënë nën kontroll vatrat, të cilat kanë shkatërruar shtëpi e prona dhe kanë detyruar evakuimin e banorëve në afërsi të Podgoricës, si dhe në rajonet mes Budvës dhe Tivarit.

Ndihmë ndërkombëtare dhe dyshime për zjarrvënie të qëllimshme

Përballë vështirësive, Mali i Zi ka aktivizuar mekanizmin ndërkombëtar për ndihmë. Tashmë ka arritur një aeroplan kanadez nga Kroacia, në kuadër të ndihmës së ofruar nga Mekanizmi i Bashkimit Evropian për Mbrojtje Civile. Ndihmë është ofruar edhe nga Serbia, me një helikopter me shtatë persona, ndërsa pritet mbërritja e 100 zjarrfikësve nga Austria dhe e një avioni nga Italia.

Kryeministri malazez, Millojko Spajiq, ka shprehur dyshimet se disa prej zjarreve janë ndezur qëllimisht. “Është shumë e çuditshme dhe e dyshimtë se si zjarret janë ndezur në zona krejtësisht të ndryshme,” tha ai, duke theksuar nevojën për ashpërsimin e dënimeve. Gjashtë persona janë ndjekur penalisht në dy muajt e fundit për zjarrvënie.

Situata e zjarreve në Ballkan

Vendet e tjera të Ballkanit, përfshirë Kosovën, po përballen gjithashtu me zjarre masive. Agjencia e Menaxhimit Emergjent në Kosovë raportoi për 51 vatra zjarri më 11 gusht, 19 prej të cilave ishin aktive deri në orët e vona të natës, kryesisht në Kamenicë, Mitrovicë dhe Podujevë.

Me parashikimet që tregojnë se Ballkani do të vazhdojë të përballet me temperatura të larta që i afrohen 40 gradë Celsius, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë çdo tentativë për ndezje zjarri. Ndërkohë, Instituti për Shëndetin Publik në Mal të Zi ka rekomanduar qytetarëve të shmangin daljen në ambiente të jashtme për shkak të ajrit të ndotur.

Published inLajme