Deputeti Agron Shehaj ka publikuar një video tronditëse në rrjetet sociale, ku denoncon ndotjen alarmante të ujërave të Adriatikut në bregdetin e Durrësit, përmes një rasti konkret të paraqitur nga kandidatja për deputete e “Partia Mundësia”, Jonida Meçe.
Në video, shihet vajza e saj 4-vjeçare, e cila sapo ka dalë nga deti me trupin e mbuluar nga njolla të errëta nafte. Pamjet, të filmuara menjëherë pas daljes nga uji, tregojnë qartë gjurmët e ndotjes mbi lëkurën e fëmijës, një skenë që ka shkaktuar jo vetëm shqetësim emocional, por edhe zemërim për situatën e mjerueshme të menaxhimit mjedisor në vend.
Shehaj e cilëson këtë ngjarje si më shumë se një problem turistik sezonal – ai e quan atë një krim të mirëfilltë mjedisor, që nuk vetëm dëmton fëmijët e qytetarëve, por rrezikon seriozisht të ardhmen e turizmit shqiptar.
“Videoja që shikoni është bërë nga kandidatja jonë në Durrës, Jonida Meçe. Sapo ka nxjerrë vajzën e saj 4-vjeçare nga deti dhe ka parë trupin e saj të mbuluar me njolla nafte. Ky nuk është problem i sezonit turistik, është krim. Ky është krimi i vërtetë që nuk filmohet nga droni i Ramës për propagandën e tij të përditshme me turizmin,” – shkruan Shehaj në postim.
Ai vë gishtin drejtëpërdrejt mbi institucionet përgjegjëse, duke kritikuar heshtjen e Ministrisë së Turizmit dhe mosveprimin e Ministrisë së Mjedisit, të cilat, sipas tij, ose nuk ekzistojnë fare në terren, ose funksionojnë vetëm si fasadë për propagandë.
Shehaj thekson se ndotja e detit nga derdhjet e naftës është një praktikë që është ndaluar me ligj prej vitesh në vendet e zhvilluara, por që në Shqipëri duket se vazhdon të ndodhë pa asnjë pasojë për autorët.
“Ministria e Turizmit hesht, Ministria e Mjedisit nuk ekziston. Babëzinë e këtyre nuk e ndalin as fëmijët,” vijon ai në reagimin e tij të ashpër.
Kjo video nuk është vetëm një denoncim individual, por një alarm publik për gjendjen reale të mjedisit në bregdetin shqiptar, veçanërisht në sezonin ku mijëra familje zgjedhin plazhet e vendit për të kaluar pushimet.
Në një kohë kur qeveria mburret çdo ditë me rritjen e numrit të turistëve dhe imazhet luksoze të plazheve të shpërndara nga dronët qeveritarë, ky rast ekspozon një realitet tjetër – atë të ndotjes së pakontrolluar, të mungesës së mbikëqyrjes dhe të një shteti që nuk reagon, as kur në mes të rrezikut janë fëmijët.
Agron Shehaj përfundon duke i bërë thirrje opinionit publik që të mos mbyllë sytë përballë këtyre ngjarjeve, dhe të kërkojë me ngulm përgjegjësi nga autoritetet për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve.
“Nuk është thjesht det i ndotur. Është krim mbi të ardhmen.”