Një ngjarje tronditëse është shmangur në momentin e fundit në Korçë, ku një vajzë vetëm 14 vjeçe tentoi t’i japë fund jetës duke u hedhur nga kati i tretë i pallatit. Tragjedia u parandalua falë ndërhyrjes heroike të një qytetari, i cili arriti ta priste adoleshenten në krahët e tij.
Dëshmia e Landi Gurës: “Hyra si shqiponjë dhe e prita”
Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 14. Qytetari që bëri aktin e jashtëzakonshëm quhet Landi Gura. Ai rrëfeu për mediat çastet dramatike të shpëtimit. Ai ndodhej në një lokal aty pranë kur dëgjoi britmat dhe pa vajzën që po përgatitej të hidhej.
“Unë për momentin isha në klub, dëgjoj zëra dhe lashë gotën… Kur dola, e pashë që ajo do hidhej. I dola përpara, si mbeskën time e pashë, ishte e vogël. Ajo ra në një llamarinë, e pastaj drejt në krahët e mi,” rrëfeu Gura, i emocionuar, duke shtuar se shpëtimi ishte fat, pasi po të kishte rënë në çimento, do të kishte vdekur.
Ai theksoi se askush tjetër nuk reagoi në moment, ndërsa ai mori iniciativën. “Tërë ata burra ishin aty, dhe asnjë nuk lëvizi. Unë vetë me iniciativën time hyra si shqiponjë dhe e prita aq sa munda,” tha ai, duke pranuar se edhe vetë ishte lënduar lehtë në dorë.
Gjendja e vajzës dhe hetimet
Pas këtij veprimi, vajza u transportua menjëherë në spital, ku aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr kujdes psikologjik.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota, me dyshimin se e mitura ka qenë viktimë e bullizimit dhe ka pasur probleme familjare. Veprimi heroik i Landi Gurës është përshëndetur gjerësisht në rrjetet sociale, ku ai po cilësohet si “engjëlli mbrojtës” i 14-vjeçares.