Pas kritikave publike të Kryeministrit Edi Rama ndaj prokurores Elsa Gjeli lidhur me pretendimet për mosnisjen e hetimeve për ndërtimet pa leje në Theth, Gjeli ka reaguar zyrtarisht duke i dërguar një shkresë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Në këtë shkresë, prokurorja shpreh shqetësimin e saj për situatën e krijuar dhe kërkon reagimin e KLP-së në mbrojtje të dinjitetit dhe pavarësisë së saj profesionale.
Në letrën e saj, Gjeli thekson se është ndjerë e cenuar publikisht dhe në mënyrë të përsëritur nga Kryeministri Rama, i cili në deklaratat e tij publike, postime në rrjetet sociale dhe konferenca për media, ka përmendur emrin e saj personalisht dhe e ka akuzuar për: “hedhje në kosh të një krimi të shumëfishtë”, “përfaqësuese të drejtësisë që mbron shkatërrimin e pronës publike”, “veprime të dyshimta dhe arbitrare”, si dhe e ka cilësuar si përgjegjëse për vendimin e saj.
Prokurorja Gjeli argumenton se këto deklarata, të bëra në kapacitetin e Kryeministrit, kanë ndikuar negativisht në perceptimin publik ndaj saj, duke e ekspozuar ndaj një lincimi mediatik dhe duke minuar besimin në drejtësi si një sistem të ndarë nga pushteti ekzekutiv. Ajo e cilëson këtë qëndrim publik si të paprecedentë në një shtet demokratik, ku pavarësia e magjistratëve është e garantuar me Kushtetutë, personal, diskriminues dhe si një përpjekje për të frikësuar përmes turpit publik.
Gjeli thekson se presioni publik ndaj saj tejkalon çdo kritikë të lejuar politike dhe synon ta vendosë në shënjestër për shkak të vendimmarrjes së saj profesionale. Ajo kërkon nga KLP që të analizojë sjelljen e Kryeministrit në kontekstin e cenimit të pavarësisë së Prokurorisë dhe respektimit të ndarjes së pushteteve, të shqyrtojë mundësinë e një deklarate zyrtare në mbrojtje të trupës së prokurorëve nga sulme të tilla politike, dhe të ndërmarrë hapa institucionalë për të garantuar sigurinë dhe integritetin profesional të magjistratëve.
Prokurorja Elsa Gjeli deklaron se është e gatshme të paraqesë çdo dokument shtesë dhe të dëshmojë personalisht për ndikimin që këto deklarata kanë pasur në mjedisin e saj profesional dhe emocional. Kjo shkresë e prokurores tregon për një përshkallëzim të tensioneve mes pushtetit ekzekutiv dhe gjyqësor në vend, veçanërisht në lidhje me çështje që kanë impakt të madh publik.