Ish-Kryeministri grek, Alexis Tsipras, njoftoi sot dorëheqjen e tij si deputet i Parlamentit, vetëm pak para fillimit të sesionit të ri parlamentar. Ky vendim, i cili vjen pas 16 vitesh në politikën aktive, ka nxitur spekulimet se ai mund të jetë duke u përgatitur për të nisur një lëvizje të re politike, jashtë strukturave aktuale të SYRIZA-s.
Tsipras shpjegon vendimin: “Nuk jap kontribut thelbësor”
Në deklaratën e tij, Tsipras theksoi se dorëheqja nuk ishte “as një vendim i lehtë dhe as i pamenduar”, por u udhëhoq nga ndërgjegjja e tij. Ai tha se nuk mund dhe nuk dëshiron të mbajë postin e deputetit, me të gjitha privilegjet që i përkasin, kur ndien se pjesëmarrja e tij nuk po jep një kontribut thelbësor për ata që i besuan.
Ish-Kryeministri kritikoi gjithashtu ashpër Parlamentin aktual, duke e cilësuar si të “dobësuar demokratikisht” dhe të paaftë për të përmbushur rolin që kërkon Kushtetuta dhe qytetarët.
Nuk është tërheqje nga politika, thirrje për bashkëpunim me SYRIZA-n
Tsipras theksoi se dorëheqja nga vendi i tij në sallën e Parlamentit nuk nënkupton një tërheqje nga jeta politike. Përkundrazi, ai tha se po heq dorë nga siguria e karrigeve parlamentare, duke u rikthyer tek angazhimi shoqëror.
Duke iu drejtuar ish-kolegëve të tij të SYRIZA-s, ai la hapur derën e bashkëpunimit të ardhshëm: “Ne nuk do të jemi kundërshtarë. Dhe ndoshta së shpejti do të udhëtojmë përsëri së bashku drejt deteve më të bukura.”
Tsipras e mbylli fjalën e tij me një thirrje për veprim kolektiv, duke theksuar se Greqia përballet me sfida të mëdha ekonomike, politike, gjeopolitike dhe, mbi të gjitha, morale. Ai udhëhoqi partinë e krahut të majtë, SYRIZA, si kryeministër nga viti 2015 deri në vitin 2019, duke menaxhuar Greqinë në kulmin e krizës së borxheve.
