Detaje të reja tronditëse kanë dalë në dritë lidhur me vdekjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, trupi i të cilit u gjet pranë liqenit të Shkopetit në Ulëz, Mat. Hetimet e fundit sugjerojnë një skenar më të errët dhe më të dhunshëm nga sa u mendua fillimisht.
Sipas informacioneve të reja, një makinë dyshohet se ka shkuar pranë banesës së Renis Dobrës në Zenisht, ku e kanë marrë me forcë të riun. Më pas, ai është dërguar rreth 30 kilometra larg nga shtëpia e tij. Në këtë vend të largët, hetuesit dyshojnë se 23-vjeçari është dhunuar dhe është marrë në pyetje për informacione të caktuara, përpara se të ekzekutohej.
Pas vrasjes, trupi i Renis Dobrës është hedhur në liqen së bashku me makinën e tij tip “Benz”. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se trupi ka dalë nga automjeti pak metra para se ai të fundosej plotësisht në ujë, duke bërë të mundur gjetjen e tij relativisht shpejt.
Grupi hetimor i policisë po ndjek disa pista kryesore për të zbardhur këtë krim të rëndë. Sipas burimeve, viktima rezulton me një precedent të mëparshëm penal për lëndë narkotike në Gjermani, kur ishte vetëm 20 vjeç. Edhe pse kjo po vlerësohet si një nga pistat e mundshme, hetimet janë aktualisht të përqendruara edhe tek mundësia e ndonjë konflikti të lidhur me parcela kanabisi ose një sherr për ndonjë vajzë.
Familja e të riut kishte raportuar zhdukjen e tij një ditë më parë. Pas kallëzimit në polici, shërbimet e policisë nisën menjëherë kërkimet dhe, pas disa orësh, gjetën trupin e pajetë të 23-vjeçarit pranë liqenit të Shkopetit. Shenjat e mavijosjes në qafë, të konstatuara gjatë ekzaminimit të parë, kishin ngritur menjëherë dyshimet e policisë se bëhej fjalë për një vrasje dhe se makina ishte hedhur në liqen për të fshehur krimin. Hetimet e plota dhe përgjigjet përfundimtare priten nga ekspertiza mjeko-ligjore dhe punës së mëtejshme të grupit hetimor.