Përmes një reagimi në platformën “X” (ish-Twitter), LaCivita shpërndau një artikull të diplomatit shqiptar Agim Nesho, botuar në Fox News, i cili titullohet: “Njihuni me Ramaduron: Autokrati progresiv i Europës, i trajnuar nga Sorosi dhe armiku i Trumpizmit.” Krah këtij postimi, LaCivita nuk e fshehu tonin kritik, duke e vendosur kryeministrin shqiptar në të njëjtin plan me liderë si Nicolás Maduro i Venezuelës dhe duke e trajtuar atë si simbol të hipokrizisë së Perëndimit që toleron autokratë për sa kohë i shërbejnë rendit liberal global.
Në qendër të postimit të LaCivita qëndron një analizë e gjatë dhe e ashpër e Agim Neshos, diplomat dhe analist, i cili denoncon atë që e përshkruan si konsolidimin e një regjimi autokratik në zemër të Ballkanit, me bekimin e heshtur të elitave perëndimore.
Sipas Neshos, Edi Rama nuk është thjesht një lider autoritar lokal, por një prototip i ri i autokratëve progresistë, i mbështetur nga rrjete globale si Fondacioni “Shoqëria e Hapur” i George Sorosit. Artikulli përshkruan se si Rama ka ndërtuar një regjim të personalizuar, të bazuar mbi kontrollin absolut të pushtetit, zgjedhje të dyshimta, media të nënshtruara dhe lidhje të dyshimta me krimin e organizuar.
Ai akuzohet për ndryshim të qëllimshëm të Kushtetutës, manipulim të votës dhe përdorim të strukturave shtetërore për të eliminuar çdo formë të opozitës efektive. Në të njëjtën kohë, thuhet se Rama ka ruajtur marrëdhënie të dobishme me udhëheqës të fuqishëm në arenën ndërkombëtare si Erdoğan, Meloni dhe Macron, duke luajtur një lojë të dyfishtë: progresist në retorikë, autoritar në praktikë.
Në shkrim thuhet se etiketat “narcist” dhe “anarkist” përdoren nga kritikët për të përshkruar një lider që ka dalë nga gjiri i shoqërisë post-komuniste shqiptare dhe që ka përqafuar me efikasitet mekanizmat e pushtetit autoritar të stilit Maduro-Chávez. Nesho ngre alarmin se modeli i Ramës është përqafuar nga elitat europiane për sa kohë ai mban një diskurs të pranueshëm politik ndërkombëtarisht, edhe pse realiteti në terren është dramatikisht i ndryshëm.
Kritikë e drejtpërdrejtë ndaj Perëndimit dhe thirrje për veprim nga SHBA
Shkrimi i Fox News, përmes zërit të Agim Neshos, nuk ndalet vetëm në Edi Ramën, por drejton gishtin edhe ndaj Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, duke i akuzuar për tolerim të tejzgjatur të regjimeve hibride në Ballkan. Veçanërisht i ashpër është mesazhi se SHBA-ja duhet të ndalojë së bashkëjetuari me autokratë që sulmojnë hapur filozofinë dhe trashëgiminë politike të presidentit Trump, ndërsa përfitimet i ndajnë me strukturat më të korruptuara të rajonit.
Artikulli përmend edhe deklaratat e mëparshme të Ramës ku ky i fundit kishte sulmuar Donald Trump, madje në një rast duke e quajtur “turpin e qytetërimit perëndimor” – një koment që në sytë e republikanëve amerikanë shihet si tregues i pastër armiqësie ndaj vizionit trumpist për rendin global.
Në fund, Nesho nënvizon se “Rama është një paralajmërim për atë që po ndodh në Ballkan: një stabilokraci e rreme ku autokratët ruajnë pushtetin me bekimin e Perëndimit, për sa kohë që shërbejnë paqen sipërfaqësore.” Ai bën thirrje që SHBA-ja të veprojë, duke shtuar presion diplomatik mbi qeverinë shqiptare, duke kërkuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe duke treguar qartë se vlerat perëndimore nuk maten me retorikë, por me veprime konkrete.
Një sinjal për riformësimin e politikës amerikane në Ballkan?
Postimi i Chris LaCivita nuk është i rastësishëm. Ai mund të shihet si pjesë e një ristrategjizimi të ardhshëm të politikës së jashtme të Trumpit, nëse ky i fundit rikthehet në pushtet në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2024. Mesazhi është i qartë: aleatët në Ballkan nuk do të matin më me deklarata publike ndaj BE-së, por me përputhjen me linjat e reja të konservatorizmit amerikan. Në këtë kuadër, Rama mund të kthehet në një simbol të të kundërtës — një tranzicion i mbytur në autokraci, nën mbulesën e progresizmit globalist.
Kjo ndërhyrje e fundit është një alarm politik, por edhe një paralajmërim diplomatik për qeverinë Rama: Të mbështetesh tek emrat e njohur të establishmentit liberal nuk është më garanci imuniteti në një botë që po zhvendoset nga rendi i vjetër në drejtim të përplasjeve më të ashpra ideologjike globale.
Nëse Trumpi rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-në do të varen më shumë nga respektimi i standardeve demokratike dhe distanca ndaj Sorosit, sesa nga ndonjë lojalitet i pretenduar ndaj “vlerave” evropiane.