Skip to content

E FUNDIT – Grabitja kthehet në tragjedi, ekzekutohet shqiptari

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Foria di Centola të Italisë, ku një 25-vjeçar shqiptar ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur pas një tentative grabitjeje në një banesë private.

Ngjarja e rëndë ndodhi në një shtëpi, ku sipas raportimeve, mes pronarit të banesës dhe tre shtetasve shqiptarë pati një përplasje me armë zjarri. Pas dy ditësh kërkimesh intensive, trupi i pajetë i 25-vjeçarit u gjet në zonën e Limazzo-s, në San Severino di Centola. Oficerët e policisë dhe forcat e kërkimit kishin angazhuar dronë dhe qen për të lokalizuar të riun, ndërsa në kërkime morën pjesë edhe rreth 30 persona, mes tyre anëtarë të familjes dhe partnerja e tij.

Trupi i pajetë u gjet në orët e para të mëngjesit. Ai dyshohet se u qëllua me armë zjarri, konkretisht me çifte, nga pronari i shtëpisë ku ai kishte hyrë për të grabitur rreth orës 22:00 të së dielës në mbrëmje. Mësohet se nga shtëpia ishte vjedhur gjithashtu një armë, e cila ndoshta u përdor nga i riu për t’u mbrojtur nga sulmi me armë.

Ende nuk është e qartë se kush e hapi i pari zjarrin, 25-vjeçari apo pronari i shtëpisë. Nën hetim është edhe shoku i tij, i cili mbeti i plagosur dhe ndodhet aktualisht në spitalin Cardarelli. Ndërkohë, personi i tretë i përfshirë në grabitje ndodhet në arrati, pasi arriti të largohej nga vendi i ngjarjes para se të mbërrinte policia.

Ndaj trupit të të riut do të kryhet autopsia për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes. Familjarët dhe miqtë e viktimës janë mbledhur në vendngjarje dhe po kërkojnë drejtësi për humbjen e 25-vjeçarit. Mes lotëve dhe akuzave, ata kanë bërë thirrje për “drejtësi për djalin”, ndërsa forcat e policisë po përpiqen të ruajnë qetësinë dhe rendin publik në zonë. Identiteti i tre të rinjve të përfshirë në këtë ngjarje ende nuk është zbardhur plotësisht.

Raportohet se viktima nuk kishte precedentë kriminalë. Ai la pas një vajzë trevjeçare. Rrethana të tjera që ngrenë dyshime janë fakti se trupi u gjet në një përrua dhe ishte i mbuluar me çarçafë, duke sugjeruar se i riu mund të jetë transportuar atje nga dikush tjetër dhe më pas është fshehur.

Pronari i shtëpisë ku shqiptarët kishin hyrë për të grabitur tani po hetohet nga autoritetet për akuzat e vrasjes së paqëllimshme dhe fshehjes së kufomës. Sipas raporteve fillestare, ai e ka pranuar krimin gjatë kësaj të mërkure në mëngjes, duke lehtësuar kështu procesin e kërkimit të trupit të viktimës. Hetimet nga autoritetet italiane vijojnë për të zbardhur të gjitha detajet e kësaj ngjarjeje tragjike.

Published inLajme