Skip to content

E FUNDIT – Arrestohet në Dubai bosi i madh i krimit shqiptar/ Në Tiranë aksion i madh në banesën e tij – DETAJET

Biznesmeni Ergys Agasi është ndaluar nga autoritetet në Dubai, sipas raportimeve të Ora News. Në të njëjtën kohë, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë kryer bastisje në banesën e tij në Mullet dhe në katër lokacione të tjera në Shqipëri.

Sipas informacioneve të publikuara, kontrollet janë kryer nga agjentët e BKH-së me urdhër të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Hetimet kanë përfshirë kontrollin e banesës së Agasit në Durrës dhe Tiranë, si dhe në vende të ndryshme biznesi që zotërohen nga i njëjti.

Në këtë moment nuk ka detaje zyrtare mbi natyrën e hetimit, por spekulime në media aludojnë për çështje të mundshme që lidhen me kontrabandën e cigareve, lidhjet e tij me drejtues të klanit “Troplini”, apo akuza për korrupsion zgjedhor. Megjithatë, burime pranë BKH-së konfirmojnë se aksioni është ndërmarrë në zbatim të një vendimi gjykatës.

Emri i Ergys Agasit u bë i njohur gjerësisht në media pas intervistës së ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për televizionin italian Rai3. Ahmetaj në intervistën e tij ngriti akuza të forta ndaj Kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar për lidhje të tij me krimin e organizuar dhe duke e përmendur Ergys Agasin si personin që koordinon këto lidhje. Sipas Ahmetajt, Agasi është i pozicionuar në Durrës, pranë klanit mafioz në këtë qytet.

Në reportazhin investigues të Rai3 thuhej se Ergys Agasi është një biznesmen nga Durrësi, i biri i një ish-deputeti socialist, dhe pronar i një kompanie që operon në fushën e prodhimit të cigareve dhe logjistikës. Edhe pse nuk ka qenë kurrë i dënuar apo i hetuar zyrtarisht për lidhje me mafian shqiptare, mediat shpesh kanë raportuar për lidhje të tij të mundshme me anëtarë të grupeve kriminale, siç është përmendur narkotrafikanti Xhevdet Troplini.

Ish-zëvendëskryeministri Ahmetaj në rrëfimin e tij për RAI3 ka deklaruar: “Agasi bën koordinatorin dhe pastaj ai i përdor për zgjedhjet. Ku i takon Rama? I takon edhe në zyrën e tij, në zyrën e mbledhjeve që ka në selinë e qeverisë. Unë nuk kam marrë pjesë sepse nuk kam pranuar kurrë të përfshihem. I kam parë pothuajse të gjithë. Personazhe nga Dibra, Durrësi, Elbasani… Po. Kapo të mafias”.

Gazetarja Klodiana Lala para një viti kishte publikuar në rrjetet sociale një listë, sipas saj, të emërimeve të familjarëve të Ergys Agasit në pozicione drejtorash në administratën shtetërore. Lista e publikuar përmban emrat: Xheni Beqaj (kunati i Fatmir Troplinit) – Drejtor i Targave dhe Patentave; Gerti Hoxha (djali i halles se Ergys Agasit) – Drejtor rajonal i OSHEE-se për Qarkun Durrës; Arsen Agasi (djali i xhaxhait të Ergys Agasit) – shef i AKU për Portin; Klesti Cela, kunati i Agasit – Drejtor ASHK Tiranë Rurale.

Ndërkohë, nuk ka ende një njoftim zyrtar nga SPAK apo BKH në lidhje me arsyet e ndalimit të Ergys Agasit dhe bastisjeve të kryera në Shqipëri. Priten zhvillime të reja gjatë ditëve në vijim.

Published inLajme