Biznesmeni Sokol Meqemeja është shpallur në kërkim nga Policia e Sarandës pasi dyshohet se po ndërtonte pa leje një impiant gazi (TEC) në pronë publike. Operacioni për bllokimin e punimeve dhe arrestimin e personave të përfshirë është zhvilluar ditën e sotme nga Policia e Vlorës, Sarandës dhe Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) Tiranë, në bashkëpunim me Inspektoratin e Mjedisit.
Hetimet nisën menjëherë pas informacioneve se po ndërtohej në tokën shtetërore dhe pa leje një investim i ri, një impiant gazi (TEC). Policia njoftoi sot se janë arrestuar në flagrancë dy inxhinierët e kompanisë, Elton Malkaj, 31 vjeç, me detyrë përgjegjës i impiantit të gazit, dhe Luan Metaj, 53 vjeç, me detyrë përgjegjës i kantierit të ndërtimit. Të dy dyshohen për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me qëllim përfitimi, dhe “Pushtimi i tokës”.
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim Sokol Meqemeja, 56 vjeç, pronari i kompanisë, dhe Juglerd Ibrahimi, 36 vjeç, administratori i kompanisë. Edhe këta dy persona dyshohen për të njëjtat vepra penale.
Në bashkëpunim me IKMT Tiranë dhe Inspektoratin e Mjedisit, punimet në këtë objekt janë bllokuar menjëherë.
Njoftimi i policisë detajon: “Në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve të paligjshme që cenojnë territorin dhe mjedisin, strukturat e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Vlorë, në bashkëpunim me inspektorët e IKMT Tiranë dhe me Inspektoratin e Mjedisit, ushtruan kontroll në një subjekt privat (kompani gazi), në Delvinë. Gjatë kontrollit u konstatua se kjo kompani po ndërtonte një impiant gazi (TEC), në pronë publike, pa leje ndërtimi dhe zhvillimi nga organet kompetente. Në përfundim të veprimeve të para procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë shtetasit: E. M., 31 vjeç, me detyrë përgjegjës i impiantit të gazit, dhe L. M., 53 vjeç, me detyrë përgjegjës i kantierit të ndërtimit, të dy të dyshuar për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me qëllim përfitimi, dhe “Pushtimi i tokës”.”
“Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit: S. M., 56 vjeç, pronari i kompanisë, dhe J. I., 36 vjeç, administratori i kompanisë, të dy gjithashtu të dyshuar për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me qëllim përfitimi, dhe “Pushtimi i tokës”. Nga ana e IKMT-së është mbajtur procesverbali për konstatimin e kundërvajtjes dhe është bërë bllokimi i punimeve në këtë objekt. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme,” thuhet më tej në njoftim.

