Janë publikuar pamje të rënda që tregojnë momentin kur Bardhyl Kaloshi, 43 vjeç, humbi jetën tragjikisht në Durrës pasi ra në kontakt me rrymën elektrike. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm në lagjen nr. 6, pranë stadiumit të futbollit, ku Kaloshi po kalonte një rrugë të përmbytur.
Në video shihet qartë sesi Kaloshi, duke tentuar të kalojë ujin, prek një shtyllë ndriçimi, brenda së cilës ndodheshin kabllo të zhveshura. Kontakti fatal e rrëzon menjëherë në tokë. Kalimtarë të rastit tentojnë t’i afrohen për ndihmë, por largohen menjëherë pasi ndjejnë gjithashtu praninë e rrymës elektrike.
Bizneset dhe banorët e zonës, jashtë kamerave, dëshmojnë se rreziku i kësaj shtylle ishte raportuar te autoritetet prej një jave, por askush nuk kishte marrë masa për ta rregulluar. Kjo neglizhencë e rëndë i mori jetën 43-vjeçarit, duke lënë pas tre fëmijë jetimë.
