Uashington, D.C. – Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë zgjatur armëpushimin tregtar për 90 ditë të tjera, duke shmangur rritjen e tarifave që pritej të hynte në fuqi. Vendimi u mor vetëm pak orë para afatit dhe u konfirmua në një deklaratë të përbashkët nga Pekini dhe Uashingtoni.
Presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të zgjatur pezullimin tarifor deri më 10 nëntor. Kjo lëvizje u bë për t’i dhënë më shumë kohë negociatave, të cilat muajin e kaluar u cilësuan si “konstruktive”.
Detajet e marrëveshjes dhe objektivat e bisedimeve
Sipas marrëveshjes, SHBA-ja do të mbajë tarifat aktuale prej 30% mbi importet kineze, ndërsa Kina do të mbajë tarifën prej 10% ndaj mallrave amerikane. Shtëpia e Bardhë ka theksuar se zgjatja e afatit synon të adresojë çekuilibret tregtarë dhe praktikat e padrejta, duke iu referuar deficitit tregtar prej gati 300 miliardë dollarësh me Kinën në vitin 2024.
Bisedimet e ardhshme do të fokusohen gjithashtu në rritjen e aksesit për eksportuesit amerikanë në tregun kinez dhe në adresimin e çështjeve të sigurisë kombëtare dhe ekonomike. Nga ana tjetër, Kina i ka bërë thirrje SHBA-së të heqë kufizimet e saj “të paarsyeshme” dhe të bashkëpunojë për të ruajtur stabilitetin e prodhimit global të gjysmëpërçuesve.