Kandidati i Partisë Demokratike në listën e mbyllur për qarkun e Fierit, Luan Baçi, ka pranuar publikisht humbjen në zgjedhjet e 11 majit, pavarësisht se ka siguruar mandatin si deputet. Në një postim emocional në rrjetet sociale, Baçi u kërkon ndjesë mbështetësve demokratë për performancën zhgënjyese të forcës politike që përfaqëson.
“Mirënjohje, respekt dhe falënderim, me gjithë zemër, qindra mijëra demokratëve të thjeshtë që nuk u tërhoqën kurrë, që kontribuuan pa kërkuar asgjë në këmbim,” shkruan Baçi. Ai përmend me emra konkretë edhe drejtues lokalë në njësinë Hamil dhe Dërmenas, duke i falënderuar për përkushtimin.
“Shumë ndjesë, të dashur demokratë, që nuk mundëm të ngrihemi në nivelin e punës dhe performancës suaj. Nuk e bëmë dot detyrën siç duhet,” shkruan më tej ai.
Luan Baçi renditej i treti në listën e mbyllur të “PD-ASHM” në Fier, listë e cila arriti të sigurojë katër mandate në total. Edhe pse e siguroi vendin në Kuvend, deklarata e tij reflekton një vetëdije për mungesën e besimit të plotë të elektoratit ndaj alternativës demokratike.