Pas lirimit të një hapësire publike të zënë nga çadrat dhe shezlongët në plazhin e gjirit të Lalzit, kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetet sociale duke ironizuar ata që, sipas tij, sfidojnë shtetin duke uzurpuar pronën publike.
“A ia vlen të humbasësh gjithë këta shezllonë e çadra për të sfiduar shtetin?! Nuk e di, këta e dinë – në Lalëz këta e gdhinë si zaptues me qindra çadra dhe e ngrysën si të përzënë me duar në xhepa”, shkruan Rama.
Ai shtoi se kjo ndërhyrje është vetëm fillimi i një qasjeje të re ndaj vijës bregdetare, ku hapësirat publike nuk do të uzurpohen më për përfitim tregtar, por do të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve.
Me heret, Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar të gjitha bizneset në vend që të lëshojnë rregullisht faturat, pasi në të kundërt pasojat do të jenë të rënda.
Kreu i qeverisë u shpreh se masat për bizneset që nuk japin faturat do të jenë të atilla që nuk ja vlen aventura e moslëshimit të faturës.
Ai ju bëri thirrje bizneseve të mos e sprovojnë administratën dhe shtetin, pasi do iu mbyllen bizneset për një periudhë që do iu sjellë atyre një dëm të madh.
“E mbyll me një apel për bizneset: kemi zgjedhur prej më shumë se gjashtë muajsh një qasje këshilluese, informuese, edukuese, duke mos preferuar të shkojmë te hapi i fundit pa bërë hapat e tjerë. Masa që legjislacioni parashikon për çdo biznes që nuk punon rregullisht me faturat përkatëse janë të atilla që nuk ja vlen aventura e moslëshimit të faturës.
Të mbyllet lokali apo njësi tregtare, nëse nuk lëshon kupon, për një periudhë që sjell një dëm të madh. Mos e sprovoni administratën dhe mos e sprovoni shtetin, sepse nuk do të tolerohet askush”, tha Rama.