Një raport sekret mbi menaxhimin e sigurisë në burgun e Drenovës në Korçë, publikuar nga gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, ka rezultuar në shkarkimin e menjëhershëm të Drejtorit të Burgut, Fatjon Fasho, dhe pezullimin e shefit të policisë së Burgut, Sokol Kaçoli.
Mësohet se Fatjon Fasho do të referohet në prokurorinë e Korçës për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, pasi dyshohet se ka kryer veprime që kanë kompromentuar sigurinë e brendshme të burgut. Kjo lidhet veçanërisht me vendimin për të përqendruar të gjithë anëtarët e bandës së Lushnjës, përfshirë Laert Haxhiun, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, në një sektor të vetëm dhe në dhoma ngjitur me njëra-tjetrën. Ndërkohë që transferimi i Laert Haxhiut dhe dy anëtarëve të tjerë në burgun e Drenovës ishte bërë me vendim të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, akomodimi i të dënuarve në sektorë të ndryshëm është nën kompetencën e drejtorit të burgut.
Skandali shpërtheu pasi një skuadër operacionale e Policisë së Burgjeve zbuloi gjatë një kontrolli blic më 29 qershor 2025, katër telefona modernë “Iphone-Samsung”, karikues dhe kufje me bluetooth në qelitë ku vuajnë dënimin Laert Haxhiu, Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili. Ky incident konsiderohet vetëm maja e ajsbergut.
Një raport shërbimi i Policisë së Burgjeve ka zbuluar gjithashtu futjen e paligjshme të femrave brenda në burgun e sigurisë së Lartë në Drenovë, për llogari të Laert Haxhiut. Një episod i tillë ka ndodhur pak muaj më parë, kur një vajzë është paraqitur në burg duke kërkuar takim me një të dënuar tjetër, por në takimin special është paraqitur Laert Haxhiu. Kjo ka vënë në dukje një shkelje të rëndë të rregullave të sigurisë.
Incidenti i futjes së telefonave ka sjellë përplasje mes shefit të policisë së Burgut, Sokol Kaçoli, dhe Drejtorit të Burgut, Fatjon Fasho. Kontrollet e mëtejshme kanë zbuluar kufje dhe karikues edhe në dhomën ku ndodhen Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili, si dhe një karikues, telefon dhe kufje në dhomën e Laert Haxhiut, i cili menjëherë pas kësaj u mbyll në izolim.
Prokuroria po heton rastin për “Futjen e sendeve të palejuara në burg” dhe po kryen veprime hetimore për të zbuluar se kush ka mundësuar futjen e telefonave në qeli. Telefonat e sekuestruar do t’i nënshtrohen ekspertimit kompjuterik për të zbuluar komunikimet e mundshme.
Laert Haxhiu, Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi vuajnë dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit në vitin 2017. Ndaj tyre dhe grupit të tyre janë hapur edhe dy procese gjyqësore në SPAK për vrasje të tjera dhe aktivitete të grupit të strukturuar kriminal.