Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur një bilanc të dëmeve të shkaktuara nga zjarret e ditëve të fundit, duke konfirmuar se 207 shtëpi janë prekur, nga të cilat 40 janë djegur plotësisht. Shifrat u dhanë nga kryeministri në një lidhje live për situatën, ku theksoi se qeveria do të kompensojë të gjitha familjet e prekura.
Rama shprehu ngushëllime për ata që humbën të afërmit e tyre dhe solidaritet me familjet që kanë humbur shtëpinë. “Dua t’i siguroj të gjithë, qoftë familjet që kanë humbur shtëpinë plotësisht apo ata që kanë pësuar dëmtime, se ne po bëjmë sipas protokollit të situatës dhe me autoritetet përkatëse inventarizimin e plotë të këtyre dëmeve,” tha ai.
Dëmshpërblime për shtëpitë dhe bagëtitë e humbura
Kreu i qeverisë premtoi se askush nuk do të mbetet vetëm, duke garantuar se do të ofrohet mbështetje për të ndërtuar shtëpi “më të mira dhe më të forta” dhe për të dhënë dëmshpërblimet përkatëse.
Gjithashtu, Rama bëri të ditur se dëme të konsiderueshme janë shkaktuar edhe në bagëti. “Deri tani numërohen 3,619 krerë të humbur, do të kompensojmë një për një pa asnjë diskutim, ndërkohë që inventarizimi i tyre vazhdon,” tha kryeministri.