Rikthimi i Kuvendit në shtator, për legjislaturën e re, ka ngjallur debate dhe pyetje rreth drejtimit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Pozicioni i Gazment Bardhit, si kryetar aktual, është vënë në pikëpyetje, ndonëse mbështetja e Sali Berishës ndaj tij nuk është lëkundur publikisht.
Megjithatë, burime nga selia blu bëjnë me dije se në qarkullim ka nisur të hyjë emri i një prej katër nënkryetarëve të tjerë të partisë. Bëhet fjalë për Luçiano Boçin, i cili ka hyrë në parlament si i pari i listës në Shkodër.
Ambiciet e Luçiano Boçit dhe Oerd Bylykbashit
Sipas statutit të PD-së, nenit 51, partia ka dy nënkryetarë dhe njëri prej tyre është kryetar i Grupit Parlamentar. Kjo i jep një bazë të fortë Luçiano Boçit, i cili është zgjedhur nënkryetar bashkë me Oerd Bylykbashin.
Edhe ky i fundit nuk është pa ambicie për këtë post. Besnikëria e tij ndaj Berishës dhe angazhimi i gjatë në parlament e bëjnë një kandidat potencial. Kjo garë për drejtimin e grupit parlamentar pritet të shtohet në javët në vijim, ndërsa diskutohet mbi të ardhmen politike të Partisë Demokratike.