Për 25 vite me radhë, Marian jetoi me një boshllëk në shpirt. E vetmja gjurmë që i kishte mbetur nga djali i saj ishte një fotografi e vjetër, ku ai shfaqej 1-vjeç, me sytë e mëdhenj dhe buzëqeshjen e pafajshme të një fëmije që ende nuk e di se çfarë stuhish e presin në jetë. Ajo kishte kërkuar kudo, kishte bërë çdo përpjekje të mundshme për ta gjetur të birin, por çdo rrugë e çonte drejt murit të heshtjes. Asnjë informacion. Asnjë gjurmë. Vetëm heshtje dhe dhimbje.
Për shumë vite, Marian i lutej fatit, por shpresat filluan të zbehen. Gati ishte dorëzuar, kur vendosi të ndërmerrte edhe një hap të fundit – të kontaktonte ish-vjehrrën e saj, në një përpjekje të dëshpëruar për të marrë një përgjigje, sado të dhimbshme.
Por as atëherë nuk mori dot asgjë konkrete. “Nuk më thoshin asgjë,” kujton ajo me zërin që i thyhet nga emocioni. “Nuk donin të më tregonin asgjë.” E vërteta e tmerrshme u zbulua më vonë: djali i saj nuk ishte zhdukur rastësisht.
Ai ishte rrëmbyer nga ish-bashkëshorti i saj, i cili ishte larguar fshehurazi nga vendi dhe kishte marrë djalin me vete drejt Meksikës. Prej andej, kishte kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku e kishte rritur djalin nën një gënjeshtër të madhe – se nëna e tij kishte vdekur.
Vitet kalonin, ndërsa Marian vazhdonte jetën e saj të copëtuar, pa e ditur që djali i saj ishte gjallë dhe rritej në një tjetër kontinent, me një të vërtetë të manipuluar.
Pas shumë përpjekjesh dhe ndihmës nga autoritetet, Marian më në fund arriti ta gjente të birin. Ai quhej Steven. Takimi i tyre pas 25 vitesh ishte një nga ato momente që tronditin zemrën dhe shpirtin njëherësh – një përqafim që shëron plagë, por edhe i rihap plagët e të shkuarës.
Steven, tashmë një burrë i rritur, e përqafoi të ëmën me lot në sy dhe u shpreh i tronditur nga ajo që kishte mësuar:
“Unë nuk e dija që nëna ime ishte gjallë. Më kishin thënë se kishte vdekur. Ndihem shumë keq për atë që ka bërë babai im.”
Kjo histori prekëse është një dëshmi e gjallë se lidhja mes nënës dhe fëmijës nuk zbehet kurrë – as nga koha, as nga distanca, e as nga gënjeshtrat. Dashuria e saj nuk u shua asnjëherë, edhe pse për 25 vite jetoi vetëm me një fotografi dhe një boshllëk të thellë në zemër.
Burimi: Marrë nga Revista Ora.