Skip to content

Dhimbja e dashurisë që ‘u merr jetën burrave’, çfarë është sindroma e zemrës së thyer

A mund të të ‘thyejë’ dashuria zemrën në kuptimin e plotë të fjalës? Jo thjesht një metaforë romantike apo një shprehje poetike, por një realitet i dhimbshëm, fizikisht i prekshëm dhe i njohur nga mjekësia.

Çfarë ndodh me trupin dhe mendjen pas një ndarjeje të rëndë, një humbjeje të papritur apo një zhgënjimi të thellë emocional? A mund të çojë pikëllimi në simptoma aq të forta, sa zemra të duket sikur po dështon vërtet?

Sindroma e zemrës së thyer nuk është vetëm një gjendje emocionale, ajo është një sëmundje serioze, që mund të sjellë pasoja të rënda fizike, të ngjashme me një arrest kardiak.

Psikologia Irena Shanaj shpjegon se në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan se, edhe pse kjo sindromë është më e zakonshme te gratë, tek burrat ajo shfaqet me një agresivitet shumë më të lartë dhe me rrezik dyfish më të madh për pasoja fatale.

Është një situatë ku zemra, nën presionin e stresit emocional dhe fizik, mund të ‘thyhet” me të vërtet, duke shkaktuar një krizë që kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Kjo gjendje është më shumë se një dhimbje shpirti, është një rrezik i drejtpërdrejtë për jetën, që vjen nga përplasja e thellë e ndjenjave dhe trurit me funksionimin e zemrës.

Irena Shanaj: Sindroma e zemrës së thyer manifestohet nga një stresi shumë të fortë emocional dhe fizik dhe është një gjendje mjekësore. Është një sindromë goxha agresive është një gjendje mendore, që imiton atakun në zemrën. Është shumë më e pranishme tek gratë, por shumë e ashpër, shkatërruese deri në vdekjeprurëse, me dyfishin e rrezikshmërisë tek meshkujt. Tek meshkujt është shumë më agresive si sindromë, me pasoja shumë më fatale, agresive dhe të dukshme.

Katerina Trungu: Kam përshtypjen sikur kjo është zmadhuar pak sa i takon studimit, për këto pasojat mjekësore kaq të rënda nga dashuria.

Irena Shanaj: Jo realisht, sepse manifestohet me një sërë vështirësish, simptomash dhe me një disfunksion të jashtëzakonshëm në nivelin psikologjik dhe fizik. Nga manifestimi i një sërë problemesh të shëndetit mendor, kjo përmbajtja kaq e lartë emocionale çon në probleme me ankthin, depresionin, vetëizolimin. Sindroma e zemrës së thyer është tejet agresive dhe këtë gjë e kam të prekur, edhe nga kontakti i përditshëm me klientë. Pra në dhomën e terapisë kupton që vërtet është një realitet i prekshëm.

Është realitet fizik. Pas një ndarjeje, pas një humbjeje, pas një zie, pas një pikëllimi tejet të lartë, për një prani tejet domethënëse në jetën tënde, pra një njeri tejet të rëndësishëm që deri dje ka qenë një bosht, epiqendër, një shtyllë për ty, realisht personi ndjehet tërësisht i rrënuar dhe manifestohet me një sërë vështirësish në funksionimin e tij të përditshëm dhe kërkon një punë titanike që ky person të riintegrohet.

Published inLajme