Një 20-vjeçar nga Kosova, Anid Hoxha nga Rahoveci, ka humbur jetën tragjikisht gjatë pushimeve në bregdetin e Dhërmiut në Shqipëri. I riu ndërroi jetë teksa po luante volejboll me shoqërinë e tij në plazh.
Policia e Vlorës ka njoftuar se specialistët e Stacionit të Policisë Dhërmi kanë referuar materialet për vlerësim, duke dyshuar se vdekja e shtetasit A. H., 20 vjeç, banues në Kosovë, ka ardhur si pasojë e shkaqeve natyrale. Hoxha ndodhej në Shqipëri për pushime së bashku me miqtë e tij.
Për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes së 20-vjeçarit, trupi i tij do t’i nënshtrohet një autopsie mjekoligjore pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë.
Lajmi i hidhur për ndarjen nga jeta të Anid Hoxhës është konfirmuar edhe nga kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili ka shprehur ngushëllimet e tij përmes një postimi në rrjetet sociale. “Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të 20-vjeçarit nga Rahoveci, Anid Samir Hoxha. Anidi po qëndronte për pushime në bregdetin shqiptar, së bashku me shokët e tij. Kjo humbje e papritur na preku thellë të gjithëve, familjen, shokët dhe secilin që e njohu Anidin, si djalë të mirë e të dashur. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Hoxha, miqtë dhe për të gjithë ata që ndjejnë dhimbjen e kësaj humbjeje të rëndë. Qoftë i lehtë dheu për Anidin!”, ka shkruar Latifi.
Familja, miqtë dhe komuniteti në Rahovec janë shokuar nga kjo humbje e papritur e një të riu në moshë. Priten rezultatet e autopsisë për të hedhur më shumë dritë mbi rrethanat e kësaj tragjedie.