Skip to content

Detajet – BE jep lajmin: Shqipëria mund të mbyllë negociatat deri në…

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka vlerësuar progresin e shpejtë të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke e cilësuar atë si të paprecedentë në ritmin dhe seriozitetin e zhvillimeve të fundit.

Në një deklaratë të dhënë së fundmi, që pason fjalën e saj në Parlamentin Evropian javën e kaluar, Kos theksoi se Shqipëria ka demonstruar një angazhim të fortë dhe të qëndrueshëm ndaj procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht përmes reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.

“Negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian po përparojnë me një ritëm të paparë më parë, me disa arritje të rëndësishme të realizuara gjatë muajve të fundit dhe të tjera që priten së shpejti,” u shpreh Kos.

Ajo nënvizoi se BE-ja mbetet e përkushtuar ndaj një qasjeje të bazuar në meritë dhe se Shqipëria është në një rrugë të qartë drejt avancimit të mëtejshëm, me qëllimin ambicioz për të përmbyllur të gjithë kapitujt e negociatave deri në fund të vitit 2027.

“Nga Shqipëria pritet të konsolidojë më tej progresin shumë të mirë në këtë drejtim. Zgjerimi është një projekt gjithëpërfshirës për shoqërinë dhe do të kërkojë angazhim të plotë nga të gjitha nivelet e shoqërisë shqiptare,” theksoi komisionerja.

Kos shtoi se BE-ja do të qëndrojë pranë Shqipërisë gjatë gjithë këtij procesi, duke e mbështetur në përmbushjen e ambicies së deklaruar nga qeveria shqiptare.

Kujtojmë se javën e kaluar Parlamenti Evropian miratoi progres-raportin për Shqipërinë me 502 vota pro dhe 120 kundër, duke konfirmuar vlerësimin pozitiv për ecurinë e vendit në rrugën e integrimit evropian.

Published inShowbizz