Policia ka arrestuar Roxhensa Kapurani, e njohur nga publiku si Marina Fara, vajza e këngëtares së njohur shqiptare, Eli Fara. 39-vjeçarja u arrestua në Vorë pasi u kap me një sasi të dyshuar lënde narkotike, kokainë.
Detajet
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë e kapën Marinën gjatë një kontrolli fizik, ku i gjetën sasinë e dyshuar të kokainës. Edhe pse disa media raportojnë një sasi prej 3 gramësh, detajet zyrtare janë ende të pakta, si dhe nuk bëhet me dije nëse ajo ishte e shoqëruar nga persona të tjerë.
Ky nuk është incidenti i parë i Marinës me drejtësinë. Pesë vjet më parë, ajo u përfshi në përgjimet e operacionit “Mezhgorani”, ku u arrestuan mbi 30 persona për trafik droge. Në atë kohë, ajo dyshohej se kishte ndihmuar dy persona të arratiseshin nga policia.
Roxhensa Kapurani është mjaft aktive në rrjetet sociale, ku poston vazhdimisht foto nga udhëtimet e saj luksoze dhe aktivitete të ndryshme, duke shfaqur një stil jete mjaft të pasur. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.