Skip to content

Ishin me pushime, aksidentohen në det shqiptarët në Greqi

Një aksident i rëndë detar ka ndodhur në bregdetin e njohur turistik të Halkidikit, ku një varkë me qira me shtatë pasagjerë u përplas me shkëmbinj. Ngjarja ndodhi në ujërat pranë ishullit Diaporos, duke shkaktuar plagosjen e tre personave.

Sipas informacioneve nga Roja Bregdetare Greke, në bordin e varkës ndodheshin gjashtë shtetas nga Kosova dhe një shtetas amerikan. Menjëherë pas alarmit, oficerët mbërritën në vendngjarje për të ndihmuar pasagjerët dhe për të menaxhuar situatën.

Pasagjerët u trajtuan në spital, varka u fundos

Tre pasagjerët e lënduar u transportuan me shpejtësi në Qendrën Shëndetësore Agios Nikolaos, prej nga u dërguan në Spitalin e Përgjithshëm të Poligyros për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Pas trajtimit, identiteti i të cilëve nuk u bë publik, ata u liruan nga spitali dhe gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar.

Varka, e cila pësoi dëmtime të rënda pas përplasjes, u përmbys dhe më pas u tërhoq në breg nga autoritetet. Një hetim paraprak është duke u kryer nga Stacioni i Rojës Bregdetare Ormos Panagias për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e sakta të aksidentit. Pritet që ky hetim të sqarojë nëse përplasja erdhi si pasojë e një defekti teknik, gabimi njerëzor apo faktorëve të tjerë.

Published inLajme