Deputetja Ina Zhupa ka publikuar sot një video nga interpelanca e saj në Parlament me Ministren e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, e zhvilluar më 19 Dhjetor 2024. Fokusi i interpelancës ishte çështja e zonave të mbrojtura dhe investimet strategjike, me theks të veçantë zonën e Thethit.
Në statusin e saj shoqërues të videos, Zhupa thekson kontrastin mes asaj që Kumbaro shprehu gjatë interpelancës dhe ngjarjeve të fundit në Theth, ku po shemben bujtina dhe ndërtime të tjera. Sipas Zhupës, Kumbaro në atë kohë lavdëronte bujtinat e Thethit dhe justifikonte ndryshimet ligjore si të nevojshme për zhvillimin e eko-turizmit dhe mbajtjen e banorëve në zonë.
Zhupa kundërshtoi ashpër këto argumente gjatë interpelancës, duke akuzuar ministren dhe qeverinë si “terroristë mjedisorë”. Ajo pretendoi se çdo plan qeveritar në lidhje me zonat e mbrojtura ishte i lidhur me interesa të investitorëve strategjikë, të cilëve po iu falej gjithçka në vend. Zhupa ka ritheksuar se asnjë nga ndryshimet ligjore dhe mënyra e qeverisjes nuk kishte të bënte me interesat e banorëve dhe komuniteteve lokale.
Deputetja e Partisë Demokratike shprehet se ngjarjet e fundit në Theth e kanë sjellë sërish në vëmendje atë që ajo e konsideron si propagandë të qeverisë. Ajo përfundon statusin e saj duke akuzuar qeverinë se çdo gjë e bën për investitorët strategjikë, të cilëve u kanë premtuar pasuritë natyrore të shqiptarëve dhe po shkatërrojnë vendin.