Ish-prokurori dhe aktualisht deputet i zgjedhur i Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, Arjan Ndoja, ka dhënë dëshminë e tij si dëshmitar kyç në procesin gjyqësor ndaj Plaurent Dervishit dhe Julian Meçes, të akuzuar për atentatin ndaj tij të ndodhur më 1 nëntor 2019 pranë mbikalimit të Shkozetit.
Para trupit gjykues të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), Ndoja ka ofruar një rrëfim të detajuar mbi ngjarjen e asaj dite. Ai ka shpjeguar se para atentatit kishte drekuar përreth dy orë e gjysmë në restorantin “Koral” me Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe si Pëllumb Muharremi, dhe Enver Shabën. Më pas, të tre ishin nisur me automjetin e Ndojës, një Mercedes Benz i regjistruar në emër të bashkëshortes së tij, drejt mbikalimit të Shkozetit, ku papritur ka nisur sulmi i armatosur.
“Nga ura e Dajlanit deri në mbikalim gjithçka ishte normale. Posa kaluam një karburant, nisën të shtënat. Fillimisht nuk kuptova çfarë po ndodhte. Vetëm në sediljen time u gjetën 13 predha,” – ka dëshmuar Ndoja në sallën e gjyqit, duke përshkruar momentet e tmerrit.
Ndoja ka deklaruar se Plaurent Dervishajn e kishte takuar fizikisht vetëm një herë, ndërsa Julian Meçen tha se nuk e njeh personalisht, por njihet me të atin e tij, me të cilin ka pasur marrëdhënie pune. Ai ka theksuar se nuk e di se kush e ka qëlluar dhe se nuk ka pasur konflikte me askënd që mund të çonin në një atentat. “Nuk di kush më ka qëlluar. Nuk kam pasur konflikte me askënd. Nëse i kam borxh dikujt, dua ta shlyej,” – ka thënë Ndoja me një ton të tronditur.
Sipas dëshmisë së tij, sulmi ka zgjatur rreth 10 sekonda dhe janë përdorur dy armë zjarri me të shtëna të diferencuara. Në automjet me Ndojën ndodheshin edhe Aleksandër Laho, i njohur si “i forti i Sukthit” me precedentë penalë, dhe Andi Maloku, ish-polic dhe shofer i Ndojës, i cili mbeti viktimë e atentatit. “Kur u qëllua makina, shoferi uli shpejtësinë dhe dolëm nga rruga. Unë tentova të dal nga makina, por humba ndjenjat nga një plagë. Më vonë jam dërguar në spital,” – ka deklaruar Ndoja duke rikujtuar momentet pas sulmit.
I pyetur në lidhje me një dosje hetimore të vjedhur nga Prokuroria e Durrësit dhe e gjetur në portobagazhin e makinës pas atentatit, Ndoja ka mohuar të kishte ndonjë dijeni, duke sqaruar se dokumentet i përkisnin një avokati.
Në proces është thirrur për të dëshmuar edhe ish-deputeti Halit Valteri, i cili në vitin 2020 publikoi video dhe deklarata në lidhje me atentatin. Dosja e çështjes është bazuar gjithashtu në komunikimet e zbardhura nga aplikacioni i enkriptuar SkyECC, të cilat kanë ndihmuar në ekstradimin e të pandehurve nga Dubai në gusht të vitit 2024.
Megjithëse kanë kaluar gati gjashtë vite nga atentati, Arjan Ndoja ka deklaruar se ende nuk e di arsyen e këtij sulmi dhe se nuk ka pasur konflikte personale që mund të çonin në një akt të tillë ekstrem. “Edhe sot, nuk kam një arsye pse dikush do të më qëllonte. Kam dyshime për një deklaratë politike të bërë në atë kohë, por nuk kam asnjë provë.”
Gjykimi ndaj të pandehurve Plaurent Dervishi dhe Julian Meçe vijon në GJKKO, ndërsa dëshmia e Arjan Ndojës konsiderohet si një element kyç për zbardhjen e motiveve dhe mënyrës së organizimit të atentatit që tronditi opinionin publik në nëntor të vitit 2019.