Nga Librazhdi, gjatë një takimi elektoral me mbështetësit e PD, lideri i opozitës, Sali Berisha ka sulmuar kandidatin e PS në Librazhd Taulant Balla duke e cilësuar “bajloz i krimit në Elbasan”.
Berisha u tha qytetarëve se “Tao Tao” sic e quan ai Taulant Ballën, fitoi nga votat e qytetarëve miliona euro pasuri, ndërsa e akuzoi Ballën se disa ditë më parë nuk mbrojti shoferin e tij që u rrah për vdekje nga Suel Çela, eksponent i krimit.
Sali Berisha: 11 maji është dita të ndryshojmë e të votojmë për dinjitetin tonë. Dita të votojmë për paqen e sigurinë e ti japim ndëshkimin më të madh krimit. Çfarë fitoi Tao nga votat tuaja. Tao Tao fitoi qindra milionë euro, fitoi emrin më të keq si bajloz krimi në Elbasan.
E morët vesh para disa ditësh Sueli ja bëri për spital shoferin dhe Tao e qepi gojën, si i paqenë, si ushtar i Surrelit. Tao burrelsi e qepi gojën ndaj njeriut që e kishte patur vite shofer ja theu kockat se nuk mbështeti Sara Milen. Suel Çela do të shpallet terrorist pas 11 majit.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga Belshi ka paralajmëruar bandat kriminale që tentojnë të shqetësojnë qytetarët për t’u marrë votat, se do shpallen terroristë bashkë me ministrin Taulant Balla e të tjerë.
“Banditët të cilët guxojnë t’ju bëjnë ju shqetësimin më të vogël, do shpallen terroristë më 12 maj. Bashkë me Ramën, Ballën dhe ministrat e tjerë në qeveri”, theksoi Berisha.
Më tej ai shtoi se për çdo votë do kenë një vit burg, dhe se do pësojnë atë që nuk ua ka pritur mendja.
Sali Berisha: Ua thash dhe në Librazhd, po ua them edhe këtu, banditët të cilët guxojnë t’ju bëjnë ju shqetësimin më të vogël, do shpallen terroristë më 12 maj. Bashkë me Ramën, Ballën dhe ministrat e tjerë në qeveri.
Paralajmëroj Prodën e Matriksit, njëfarë komisari në Përrenjas, Klodian Dani, dhe disa ushtarë të tjerë tij, se për çdo votë do keni një vit burg. Do pësoni atë që nuk ua pret mendja. Mos ndërhyni në votën dhe vullnetin e qytetarëve.