Skip to content

Deklarata / E zbulon Sali Berisha: Ja kush është biznesmeni që hyri ne burg te Erion Veliaj

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë akuza të rënda nga ambientet e SPAK-ut, duke denoncuar kushtet çnjerëzore në të cilat, sipas tij, po mbahen ish-kryeministri Ilir Meta dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Berisha theksoi se Veliaj është kërcënuar brenda qelisë për të heshtur.

Akuzat për vizitën e Ministrit të Drejtësisë

Berisha pretendon se ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka vizituar burgun i shoqëruar nga një biznesmen, i cili sipas tij përfaqëson “klanin Troplini”. Ky biznesmen, sipas Berishës, i ka dërguar ultimatume dhe kërcënime të drejtpërdrejta Veliajt dhe familjarëve të tij, me qëllimin për ta detyruar të mos flasë.

“Thuhet që e kanë keqtrajtuar. Në vizitën e Ulsi Manjës, ai ishte i shoqëruar nga një biznesmen, i cili ka dhënë ultimatume të tipit: ‘Po fole, këto i pëson gruaja, këto fëmija, gjyshi, gjyshja…’ Kjo është e papranueshme dhe e dënueshme penalisht,” tha Berisha.

Përdorimi politik dhe “statuset” nga burgu

Lideri demokrat shtoi se Veliaj është përdorur politikisht nga Kryeministri Edi Rama, duke i diktuar deklarata të shkruara për të ndikuar te drejtësia. Sipas Berishës, postimet e fundit në rrjetet sociale, të atribuara Veliajt, janë diktuar nga Rama.

Berisha theksoi se megjithëse e ka Veliajn në konsideratën më të keqe, të drejtat e tij si qytetar duhet të respektohen. Ai e cilësoi si të papranueshme shfrytëzimin e Veliajt për të shkruar statuse që i shërbejnë agjendës së Ramës, duke e krahasuar këtë praktikë me proceset e “kohës së sigurimit të shtetit”.

Published inLajme