Detaje të reja kanë dalë në pah nga vrasja e palestinezes 24-vjeçare Rayyan Alwan, e cila u qëllua për vdekje me thikë nga i ati në Tiranë.
Nga hetimet e bëra viktima rezulton të ketë qenë më përpara e martuar, por së fundmi ishte divorcuar.
Nga kjo martesë mësohet se ajo kishte 3 fëmijë, të cilët jetojnë me babain e tyre.
Familjarët e saj në Gjermani në dëshminë e tyre janë shprehur se 25-vjeçarja bënte jetë të lirë dhe larg parimeve të Islamit. Kjo gjë është kundërshtuar shpesh-herë, sidomos nga babai i saj Fadi Alwan.
Në një intervistë për emisionin “People” një banore e zonës ku ndodhi ngjarja e rëndë tha se ajo kishte dëgjuar të bërtitura që vinin nga sipër por nuk kishte arritur të kuptonte se ato vinin nga kati i fundit i banesës.
“U tronditëm se hymë e dalim gjithë ditën me fëmijët. Unë e vetmja gjë që kam dëgjuar janë disa të bërtitura. Unë të dielën kam dëgjuar disa të bërtitura, të cilat nuk po e merrja vesh nga më vinin. Ngjarja u mor vesh të enjten, por unë të dielën në drekë kam dëgjuar britma. Dritaret kanë qenë të mbyllura, unë dëgjova vetëm zhurma që vinin nga sipër”,-tha banorja.
Banorja më tej zbulon se lagja aty ka qenë gjithmonë një lagje e qetë me familjarë dhe kjo ngjarje i ka tronditur të gjithë.
Pretendohet se e reja edhe është dhunuar për shkak të parimeve të saj. Në biletat e tyre të udhëtimit është gjetur një numër identifikimi dokumentesh kosovare për të dy, por është e paqartë çfarë janë pasi kalimi është bërë me dokumente greke.