Mbrëmjen e shtunës, pas denoncimit të PD për një mjet që transportonte para dhe tollona nafte, forca të shumta policie rrethuan automjetin dhe kryen kontrolle.
Sic shihet nga pamjet në video, në vendngjarje kanë qenë të pranishëm efektivë të policisë si dhe mbështetës të dy forcave politike, PD dhe PS.
Incidenti me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në një fshat të zonës së Peshkopisë, duke ngritur tensionet vetëm një ditë para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Në qendër të ngjarjes është shtetasi Esat Gjura, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri dhe është shpallur në kërkim nga Policia e Dibrës. Bashkë me të është shpallur në kërkim edhe një person tjetër i paidentifikuar.
Sipas informacioneve paraprake, Esat Gjura është babai i Daniel Gjura-s, kandidat i Partisë Socialiste, i renditur i dyti në listën shumëemërore të kësaj force politike në qarkun e Dibrës.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Pilafë, në njësinë administrative Tomin, rreth orës 20:25, kur ish-deputeti dhe kandidat aktual i Partisë Demokratike, Xhemal Gjunkshi, ka telefonuar në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër për të denoncuar një rast të dyshuar të shpërndarjes së parave në këmbim të votave. Sipas deklarimit të tij, personi i dyshuar është përballur me disa persona të tjerë dhe, gjatë largimit, ka qëlluar me armë në ajër.
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe janë angazhuar në kërkimin e autorëve, ndërkohë që Policia e Dibrës njoftoi se është ngritur një grup hetimor, i cili po vepron nën drejtimin e SPAK dhe Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për të zbardhur të gjitha rrethanat e incidentit.
Ndërkohë, burime nga shtabi elektoral i PD-së kanë ngritur akuza të forta ndaj strukturave të rendit, duke pretenduar se autori i incidentit nuk është ndaluar në momentin e ngjarjes, por është lënë të largohet, për t’u shpallur më vonë në kërkim nga policia.
Ky incident ka nxitur tensione të forta politike në Dibër dhe ka rikthyer në vëmendje frikën për parregullsi dhe dhunë zgjedhore në prag të ditës së votimit. Opinioni publik pret tani një reagim të qartë dhe transparent nga organet ligjzbatuese dhe drejtësia, për të garantuar mbarëvajtjen e procesit dhe ndëshkimin e çdo akti që cënon lirinë e votës.